Futboll

“Bomba” e merkatos së verës, shkëmbimi Nejmar-Bejl

Një shkëmbim i bujshëm në horizont mes Real Madridit dhe PSG-së. E përditshmja britanike “Independent” shkruan se Gereth Bejl do të transferohet në Paris dhe Nejmar në Madrid. Një zgjidhje, që do të ishte idealja për të dy klubet për të zgjidhur çështjet me dy lojtarët, të cilët aktualisht “jetojnë” të ndarë nga pjesa tjetër e shtëpisë. Fjalët e fundit të trajnerit Zidan për Bejl kanë zyrtarizuar krisjen përfundimtare të uellsianit me klubin madrilen. Është e vështirë që palët të vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe sa më shpejt që çështja të zgjidhet, aq më mirë është. Për shkëmbimin e Bejlit me Nejmarin drejtuesit e Realit kanë dy javë që po punojnë dhe nëse lëvizja realizohet, do të ishte vërtet e bujshme.

Nejmar, i vendosur për t'u larguar nga PSG-ja

Kampionët e Francës duket se kanë vendosur përfundimisht ta lejojnë të largohet sulmuesin brazilian, i cili e ka ndarë mendjen t’i thotë lamtumirë Parisit. Edhe pse dëshira e Nejmarit është të rikthehet te Barcelona, njerëzit pranë tij po e shtyjnë që t’i bashkohet Realit. Gjithmonë duke iu referuar “Independent”, Bejl ka marrë oferta të rëndësishme nga Kina, por uellsiani nuk është aspak entuziast për të luajtur në këtë vend, pavarësisht se mund të përfitojë shumë financiarisht. Për të mos u nënvlerësuar është edhe interesimi i Totenhemit, ish-ekipi i Bejlt, por paga e lartë e lojtarit është një pengesë e fortë për londinezët.

Nuk është më sekret që Nejmar prej kohësh ngacmon fantazinë e Florentino Perezit, pa llogaritur faktin që kalimi i mundshëm i brazilianit në Madrid do të ishte një goditje e fortë për rivalët historikë të Barcelonës. Edhe nëse ndodh që Nejmar të kthehet në Katalonjë, profili i Bejlit është mjaft interesant për zëvendësuesin e tij te PSG-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë