Atletike

Bol e jashtëzakonshme në 400 metra, bie pas 41 vitesh rekordi botëror

Gazeta Si – Një tjetër arritje e madhe e atletes holandeze, e cila përmirësoi rekordin botëror të 400 metrave në salla të mbyllura me 33 të qindtat.

Pas rekordit në 500 ‘indoor’, Femke Bol thyen edhe ata të 400 metrave me kohën 49"26 në kampionatin e Apeldoorn. Sportistja 22-vjeçare e thyen këtë rekord botëror pas 41 vitesh. Rekordi i mëparshëm prej 49"59 i përkiste çekosllovakes Jarmila Kratoçvilova dhe ishte vendosur më 7 mars 1982, në Milano.

Kampionia europiane e trefishtë ka thyer kështu një nga rekordet më të gjata botërore në ditën e dytë të kampionatit që po zhvillohet në Apeldoorn.

Me një performancë perfekte, Bol e ndali kronometrin në kohën 49 sekonda e 26 të qindtat. Holandezja ka qenë në një formë shumë të mirë. Ajo fillimisht vendosi rekord në 500 metra në Boston, përpara se të bënte të njëjtën gjë në 400 metra me pengesa fundjavën e kaluar në Metz.

“Vërtet nuk kam fjalë, - tha Bol për mediat holandeze pas arritjes së rekordit. - Është rekordi im i parë botëror në një distancë të vërtetë. A mund të jem më e shpejtë? Kjo ishte pothuajse një garë e përsosur".

Kjo ishte gara e fundit e Bol përpara Europianit të Atletikës në Stamboll 2023, që zhvillohet në datat 2-5 mars, ku ajo do të mbrojë titujt e saj në stafetën 400m dhe 4x400m.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë