Makina

BMW zgjedh rrugët e Shqipërisë për garën e modeleve “GS”

Nëse pandemia nuk do të rezervojë ndonjë të papritur të pakëndshme, BMW do të zhvillojë për të tetin vit garën motoçikliste “BMW Motorrad International GS Trophy” në vitin 2022 dhe vendi i përzgjedhur për zhvillimin e kësaj gare është…Shqipëria.

Me moton “Zbulo të papriturën”, BMW thotë se gara është përcaktuar për t’u zhvilluar në muajin gusht të vitit të ardhshëm në Shqipëri, në vendin, siç thotë njoftimi zyrtar i kompanisë gjermane të prodhimit të automjeteve, “parajsa të fundit të rrugëve të pashkelura”.

Në garë pritet që të marrin pjesë të paktën 22 ekipe ndërkombëtare, nga Brazili, SHBA, Rusia, Kina e deri në Japoni dhe gjashtë ekipe, po ndërkombëtare femrash.

Kompetecioni zgjat për disa ditë dhe ideja e kompanisë nuk është një garë e mirëfilltë se kush del i pari, por si një festë masive në nder të modeleve të motoçikletave “BMW GS”.

“Kjo është ajo që ofrojnë motoçikletat BMW, argëtim, aventurë dhe sfida”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

E të trija këto, e mos më shumë, kompania gjermane thotë se pjesëmarrësit dhe të dashuruarit pas tyre do t’i gjejnë në Shqipëri.

“Në Shqipëri i gjen të gjitha, nga Mesjeta deri te kohët moderne. Plazhe rënore e hotele luksoze në Adriatik, kështjella mesjetare, male pafund dhe pjesën më të madhe të natyrës të pashkelur”, thotë BMW.

“BMW Motorrad International GS Trophy” është një kompeticion i ri, por që në këto pak vite jetë është zhvilluar në vende si Argjentina, Zelanda e Re, Mongolia, Tajlanda dhe Kanadaja. Eventi tërheq me mijëra vizitorë fizikë, veç atyre që e ndjekin përmes rrjeteve sociale, apo transmetimeve televizive të dedikuara.

Kjo është hera e parë që e një gare të tillë në Shqipëri, por nuk është hera e parë që Shqipëria përzgjidhet nga kompani të njohura ndërkombëtare të prodhimit të automjeteve për të promovuar produktet e tyre. Në 2014-ën, Land Rover promovoi modelet e reja Discovery përmes një spoti rreth 3 minuta në zonën e Thethit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë