Sociale

“Bllokohet” Astiri, punimet futen në fazën e dytë

Që prej 11 Marsit në orë 20 të mbrëmjes, çdo automjet që i duhet të kalojë në zonën e Astirit apo drejt Pallatit me Shigjeta, duhet të ndjekë disa rrugë alternative ndërsa semafori aktual në kryqëzimin e Astirit do të zëvendësohet me rrethrrotullim të ri provizor.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho deklaroi se puna për ndërtimin e unazës së Re do të përfundojë në tremujorin e fundit të këtij viti.  “Shpresoj që tremujorin e fundit të këtij viti do të jetë gati. Duke parë edhe ritmet në të cilat ecim. Ne jemi çdo dy ditë në vepër për të parë ecurinë e saj dhe shohim shumë ndryshim”, tha Verdho.

Gjatë një interviste televizive Verdho shpjegoi se si do të bëhet hapja graduale çdo 10 ditë për lehtësim të trafikut duke hapur fillimisht dy nënkalimet e para. “Nesër pas orës policore fillon puna për bërjen funksionale të planit të menaxhimit të trafikut. Jemi të fokusuar në zonën e Astirit. Ne sot kemi një futje për në Tiranë nga Durrësi. Semafori afër urës së Lanës devijon për në fushën e helikopterëve. Kjo skemë për 10 ditë nuk lëviz. Ajo që lëviz nesër është skema te Astiri. Kemi zhvendosur aksin kryesor në rreth-rrotullimin e tanishëm të Astirit. Ata që duan të shkojnë drejt Pallatit me Shigjeta do të devijojnë majtas në Astir. Ky plan pune i hap rrugë punimeve në lotin 2 dhe 3. Dinamika që ofron ndërtimi i kësaj vepre kërkon që herë pas here të ndryshojmë planin. Pas 10 ditësh dalja nga Tirana në drejt të Durrësit do të zhvendoset nga kahu i Tiranës që del dhe rregullohet në një rreth-rrotullim."

Pasi kalohet rruga “Aleksandi i Madh”, bëhet një devijim i rrugës “Teodor Keko”. Kalimi do të bëhet nga segmenti i semaforit deri tek Bulevardi Migjeni.

Ndërsa ky bulevard nuk do të ketë kalim në rrugën “Teodor Keko” dhe do të bllokohet në rrethrrotullimin ekzistues në kryqëzimin me rrugën “Tom Plezha”. Kalimi për në rrugën kryesore “Teodor Keko”, do të jenë i mundur vetëm nëpërmjet rrugës “Engjell Mashi”.

Trafiku i automjeteve, i cili vjen nga rrethrrotullimi Shqiponja do të kalojë me tre korsi nga 3 m. Fillimisht në urën e Lanës për të vazhduar përgjatë rrugës “Teodor Keko”.

Ky devijim bëhet për shkak të punimeve që do të kryhen në lotin e 2 dhe lotin 3 të unazës së re.

Punimet në këtë segment kanë nisur në fund të muajit Tetor të 2020-ës. Për gati 5 muaj, në zonën e Astirit në kryeqytet, qytetarë të shumtë janë hasur me trafikun e rënduar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë