Ngjarje

Blerta rrëfen ritet e Ringjalljes: Anisa ra në gjumë të thellë para 15 muajsh, e pushtuan demonët. Mami vdiq në 2 korrik

"Unë vëllai i shtetases Zhaneta Josifi dua të them se motra ime dhe vajzat e saj prej kohësh kishin filluar të besonin në një besim fetar. Dua të them se unë prej dy vitesh kam kontaktuar me Zhanetën dhe Blertën dhe gjithmonë i pyesja për Anisën, por ato më thonin gjithmonë që Anisa kishte dalë ose po lexonte në dhomën e saj. Unë kam lajmëruar familjarët e mi dhe jemi mbledhur të gjithë për tu futur në banesë, por nuk na është përgjigjur njeri ’’- kjo është dëshmia e  Selman Fejzo përballë Oficerit të Policisë Gjyqësore S.S, dosje që Gazeta "Si" e disponon në mënyrë ekskluzive.

"Menjëherë pas kësaj dëshmie është ngritur grupi hetimor dhe kemi shkuar në banesën e shtetases Zhaneta Josifi në rrugën "’Hamdi Cenojmeri". Pasi është trokitur disa herë te porta e tyre, por nuk ka pasur reagime është lajmëruar shërbimi i Zjarrfikëses për të bërë të mundur hyrjen në banesë’’ thuhet në dosjen e Policisë.

"Kur është hapur dera e banesës janë konstatuar dy kufoma, përkatësisht të shtetasve Zhaneta dhe Anisa Josifi si dhe shtetasja Blerta Josifi e cila ishte në gjendje të rëndë shëndetësore. Është përpiluar këqyrja e vendit të ngjarjes, ku është konstatuar kufoma e shtetases Zhaneta Josifi e cila ishte e ulur në gjunjë afër divanit të sallonit, ndërsa në dhomën e gjumit mbi një krevat dopio vihet re kufoma e shtetases Anisa Josifi e dekompozuar dhe e mbuluar me copa të ndryshme dhe me jorgan. Në banesë është vënë re prezenca e librave të ndryshëm fetar si dhe shënime të shkëputura nga Bibla në disa fletore’’

LEXO EDHE:
- Çfarë u gjet në shtëpinë e grave. Librat, telefoni jo smart dhe tronditja e ekspertit që pa trupin
- Dëshmitë e ngjarjes tronditëse/ Vajza e vdekur prej muajsh, nëna dhe motra besonin te Ringjallja
- Rrëfimet tronditëse të fqinjëve: Zhaneta ishte tretur, ishte bërë kufomë. U thosha të gjithëve "T'i shpëtojmë"
- Rrëfimi i një ish-dëshmitareje të Jehovait: I lashë, rilinda!
- Vetëflijimi për motive fetare, sociologu Tushi: Shteti të ndalojë sektet që ushqejnë vetëvrasjen

Por nga dëshmia e Blerta Josifit, e vetmja e mbijetuar e familjes Josifi, historia tragjike e të cilëve tronditi mbarë opinionin publik, ku u gjetën të vdekura nëna Zhaneta dhe vajza e saj Anisa Josifi, kanë dalë detaje tronditëse. Nga dhoma e spitali, ajo ka rrëfyer për policinë fakte tronditëse, gati të paimagjinueshme se si besonin si familje tek ringjallja.

“Motra vdiq më 27 mars të vitit 2019. Mami më 2 korrik të këtij viti. Ritet e ringjalljes fillimisht i nisi Anisa ne fillim te vitit 2019. Qëndroi duke u lutur dhe pa ngrenë gati 2 muaj deri ne mars te 2019 ku ra ne gjumë te thelle sepse u pushtua nga demonët. Motrën e lyenim me uthull se kështu na mëson Bibla jonë. Në mars të 2020 nisëm edhe ne me agjërimin, pinim vetëm ujë, donim të bënim sakrificë dhe të kthenim motrën në jetë. Gjithë ditën luteshim për të kthyer në jetë motrën. Në ditët e para të korrikut mami ra pa ndjenja në mes të dhomës ku po lutej. Ndërsa unë vazhdova ritin derisa erdhi policia” ka thënë ndër të tjera Blerta Josifi.

Blerta gjithashtu ka rrëfyer historinë dhe kalvarin sesi u përfshinë në këtë sekt. “Që kur isha 15 vjeç kam ndjekur Dëshmitarët e Jehovait. Më vonë kemi qenë edhe në Kishën Ungjillore. 2 vitet e fundit u shkëputëm dhe nuk shkonim në asnjë kult fetar, por besonim në ringjallje dhe i kryenim ritet në banesë”.

Zyrat e dëshmitarëve të Jehovait  fillimisht sipas banorëve gjendeshin me qera në një pallat aty pranë, ku dy motrat kryenin vizita, më pas motrat u shkëputën prej tyre, por mbanin shoqëri vetëm me një grua të martuar me një shtetas italian, që mendohet se i përket një sekti fetar.

Në shtëpinë e Zhanetës, teksa në dhomën tjetër trupi i Anisës ishte tharë nga teknikat e përdorura për mumifikim, qeset ishin të shpërndara ngado. Errësira e plotë dhe era e rëndë i ka panikosur edhe ata më të vjetrit që kryejnë ekspertiza në vendngjarje dhe në zona krimi. “Është padyshim një ngjarje që nuk përshkruhet, një kufomë e mbuluar dhe e kthyer në mumje në një dhomë të kyçur. Një derë e blinduar e mbyllur me çelës dhe me litarë nga brenda. Një grua e vdekur e kthyer në skelet përpara se të ndërronte jetë. Dhe në këtë horror një tjetër që jep e merr frymë e pazonja të ketë forcë qoftë sa për të nxjerrë një fjalë”, kështu e përshkroi një burim për gazetën Si shtëpinë ku gratë e familjes Josifi ishin mbyllur prej kohësh

“Ne kemi shumë dyshime, – pohoi për gazetën “Si”, – se çfarë ka ndodhur me gratë, nëse ato u ndihmuan edhe nga të tjerë për të mumifikuar Anisën apo ku e mësuan këtë teknikë”.

“Në shtëpinë e tyre ishte vetëm një telefon i vogël, jo smart phone që do të thotë se nuk e kanë mësuar në internet. Ato nuk kishin as drita dhe as internet”, shtoi një agjent tjetër që mendon se ndërprerja e këtyre burimeve ishte për shkaqe të indoktrinimit të tyre, gjatë fazës që ato e konsideronin “për ringjalljen”

Dëshmitarët e shumtë që i njihnin të treja janë bindës kur thonë se e para u vetizolua Anisa, fytyra e të cilës pothuajse u harrua nga banorët. Ndaj dhe për prokurorët dhe policinë, hetimi ka nisur duke e kthyer shiritin nga e kaluara, ku ka vendosur të thërrasë në ndihmë edhe teologë.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë