Futboll

Blerje nga e gjithë Europa, kështu do të duket “Interi i ri”

Në mesin e ekipeve europiane që pritet të futen fuqishëm në merkato do të jetë edhe Interi. Zikaltërit thuajse e kanë siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm për të dytin vit radhazi dhe këtë herë do të tentohet të shkohet më larg se grupet. Me Marotën dirigjent dhe me shumë mundësi Konten në stol, me shumë siguri do të kemi një Inter shumë ndryshe vitin që vjen.

Por sipas medieve italiane, Interi i ri nuk do të jetë vetëm në planin menaxherial, por edhe në fushën e lojës. Ikardi, Perisiç, Miranda dhe Valero janë me “valixhe në duar” dhe pritet të jenë të parët futbollistë që do të largohen. Zëvendësimet e tyre nga drejtuesit zikaltër janë menduar të bëhen me “Top Players”. Lukaku, Godin, Tomas, Xheko, Kieza, janë vetëm disa nga emrat që po ndiqen nga Marota dhe Ausilio.

Sipas CdS, ky do të jetë formacioni i Interit në sezonin që vjen. Në portë, Handanoviç, që pritet të rikonfirmohet si kapiteni i ekipit. Në mbrojtje do të jenë Skrinjar, De Vrij në qendërmbrojtje dhe Godin si ‘xhol’. Nga krahët D’Ambrozio dhe Azamoa pritet të jenë titullarë edhe vitin që vjen. Qendra e mesfushës pritet të jetë e përbërë nga Brozoviç, Tomas, Naingolan dhe Galiardini. Sulmi pritet të jetë reparti që do të pësojë më shumë ndryshime. Nga krahët do të jenë Kieza dhe Xheko dhe Lukaku, duke dueluar për një vend titullari me Martinez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë