Futboll

Blerje me “breshëri” në Superiore, Tirana bastis Vlorën

“Malli i mirë blihet në mëngjes” dhe ato klube që kanë ambicie për sezonin e ri kanë nxitur të blejnë lojtarët, për të cilët kanë nevojë. Tirana, Partizani dhe Kukësi janë skuadrat që deri tani kanë bërë lëvizje të rëndësishme në merkato, si në hyrje, ashtu edhe në dalje. Bie në sy fakti se Tirana është mjaft aktive, edhe pse nuk merr pjesë në Kupat e Europës, si Partizani dhe Kukësi.

Klubi bardheblu ka vepruar me shpejtësi dhe sapo ka bërë zyrtarizimin e tretë. Janë tre përforcime me peshë dhe që të tre vijnë nga Vlora. Braziliani Elton Kale, argjentinasi Agustin Torasa dhe gjirokastriti Idriz Batha, tre nga kolonat kryesore të Flamurtarit të sezonit të fundit, kanë firmosur secili një kontratë 1-vjeçare me Tiranën dhe tani janë zyrtarisht pjesë e saj. Kryeqytetasit duket se kanë hequr dorë nga “dashuria afrikane”, që i kishte trullosur vitet e fundit, për të kaluar te produkti i gatshëm, që ofron më shumë siguri për arritjen e objektivave madhorë me rendimentin në fushë. Para këtyre tri blerjeve, që me siguri nuk do të jenë të vetmet, Tirana ka konfirmuar në detyrë trajnerin Ardian Mema, i cili i njeh mirë të tre lojtarët e ardhur, pasi i ka drejtuar në Vlorë, kur ishte ndihmës i Ilir Dajës te Flamurtari.

Braziliani Uilliam Kordeiro prezantohet te Partizani

Partizani e nisi merkaton me trajnerin. Italiani Franko Lerda është prezantuar të hënën si pasardhësi i Skënder Gegës në stolin e kuq. Po të hënën u prezantuan si blerjet e para të të kuqve braziliani Uilliam Kordeiro, i cili vjen nga Kukësi, dhe Esin Hakaj, që vjen nga Teuta. Dëshira e radhës për Partizanin është kapiteni i ekipit Shpresa, Sherif Kallaku, por më parë duhet që mesfushori të shkëputet nga ekipi durrsak, ku bën pjesë aktualisht. Gjatë përgatitjeve në Slloveni për Championsin, me Partizanin pritet të bashkohen afrime të tjera, kryesisht për sulmin.

Emiliano Musta prezantohet te Kukësi nga drejtori sportiv, Nderim Nexhipi

Edhe Kukësi ka lëvizur me shpejtësi në merkato, duke befasuar deri diku me largimin e sulmuesit Rexhinaldo, mesfushorit Irakli Dzaria dhe mesfushorit Uilliam Kordeiro. Një ndryshim strategjie nga klubi verior, që duket se kërkon të ulë shpenzimet dhe të huajt me pagesa të larta i ka zëvendësuar me shqiptarë. Emiliano Musta ishte afrimi i parë, më pas ishte radha e të riut Çema, portierit Avdyli dhe së fundi e mbrojtësit Bruno Lulaj. Kukësi, fitues i Kupës së Shqipërisë, synon të ketë një ecuri sa më të mirë në Europa League. Në stol vazhdon të qëndrojë trajneri Ernest Gjoka.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë