Ngjarje

Blegtorët në protestë, derdhin qumështin në rrugë. Bllokojnë me traktorë rrethrrotullimin Lushnjë-Fier (foto, video)

Nga Gazeta 'SI' - Blegtorët e jugut po protestojnë në autostradën Lushnjë-Fier, duke bllokuar rrethrrotullimin e Savrës me traktorë.

Sasi të mëdha qumështi u derdhën në të njëjtën rrugë, si shenjë e kontestimit të çmimeve të ulëta për këtë produkt. Blegtorët, po protestojnë dhe kundër kompanive të qumështit, që sipas tyre po i detyrojnë fermerët të shesin qumështin me vlera qesharake, pasi kompanitë nuk pranojnë t'a blejnë më shtrenjtë.

Vitin e kaluar, një litër qumështin në fermë kushtoi rreth 140 lekë, ndërsa tani, më pak se 70 lekë, teksa importet e këtij produkti janë rritur ndjeshëm në tre muajt e parë të vitit.

Blegtorët pohuan se, shteti përveçse nuk jep subvencione për bujqit shqiptarë, nuk mbron prodhimin vendas nga çmimet e importit.

@gazetasi Blegtorët në protestë! Derdhin qumështin dhe bllokojnë rrugët në Lushnjë-Fier. #gazetasi #news #albania #protest #fermeretshqiptarë #lushnje #fier #tirana ♬ original sound - Gazeta “Si”

Blegtorët pohojnë se asnjë nga institucionet e shtetit, përkatësisht, Autoriteti i Konkurrencës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural nuk po bëjnë detyrën për të nxitur dhe për të mbrojtur prodhimin vendas. "Duam subvencione si e gjithë Europa" është një ndër pankartat që mbajnë protestuesit në duar.

Shumë prej tyre janë shprehur të gatshëm të emigrojnë, pasi sfidat e blegtorisë në Shqipëri i cilësojnë shumë më të vështira se sa nisja nga zero në një vend të huaj. Përballë kostove të larta të prodhimit dhe fitimit shumë të ulët, blegtorët shohin emigrimin si të vetmen shpresë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë