Ekonomi

Biznesi i bashkuar apel politikës: Ndalni, po shkatërroni ekonominë

Forumi i Dhomave të Tregtisë dhe shoqatat e sipërmarrjes janë bashkuar sot për të ndërgjegjësuar klasën politike në vend, se mungesa e stabilitetit politik po shkatërron ekonominë dhe biznesin.

Teksa Luan Bregsi u shpreh se “Ne nuk ikim nga Shqipëria”, një përfaqësues tjetër nga biznesi i prodhimit shprehu shqetësimin e tij se situata ka ndikuar që punonjësit dhe specialistët të tremben dhe po ikin jashtë.

“20 % ka rënë prodhimi. Kemi 5 muaj që kemi mbyllur fabrikat dhe kemi ndalur punën. Po na ikin specialistët më të mirë nga frika e situatës, dyert janë të hapura dhe Gjermania e vende të tjera kanë nevojë për forcë pune të kualifikuar. Kjo situatë po shkatërron prodhimin vendas dhe ekonominë. Duhet të mbarojë ky destabilitet”.

Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë megjithëse sensibilizoi që të mos jepen sinjale për të ikur nga Shqipëria, u shpreh se klasa politike me veprimet e veta në këto 30 vite ka bërë që të humbasë besimi ndër qytyetarë dhe biznese.

Sipas tij, situata politike e krijuar është qartësisht shumë negative sa “nuk duhet të presim interes nga bizneset e huaja dhe turistët”.

“Ne duhet të kërkojmë faturë financiare për dëmet. Nuk është neglizhencë, por kulturë që për çdo gjë që ndodh ne nuk kemi asnjëherë një faturë financiare për dëmet e shkaktuara.
Kjo situatë ka dëme joekonomike dhe ekonomike. Kalimi në depozitë i 1 mld eurove të biznesit, po ashtu edhe të qytetarëve. Nuk gjenerojmë prodhim, investim. Ka humbur besimi, stabiliteti, konkurrueshmëria, ka rënë qarkullimi tregtar, është rritur frikshëm informaliteti duke dëmtuar rëndë ekonominë dhe sipërmarrjen”- tha Jaka gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të Dhomave të Tregtisë dhe shoqatave të Sipërmarrjeve.

Edhe Shoqata e Investimeve të huaja raportoi se klima e krijuar ka stepur investitorët të cilët janë vigjilentë ndaj situatës dhe pyesin vazhdimisht.

Në lidhje me turizmin shifrat që raportoi përfaqësuesi i shoqatës tregojnë një rënie në katër muajt e parë të vitit me 9,3% krahasimisht me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas tij, teksa investitorët në tre vitet e fundit po përpiqeshin në rritjen e cilësisë së sektorit, tani janë skeptikë dhe “nëse ne futemi në listën e të dyshuarëve për turizmin, do të na duhen shumë vite të kthehemi në pozicionin e tanishëm”.

Të njëjtën situatë alarmante përshkroi edhe Alban Zusi, kreu I Qendrës Shqiptare të Eksporteve. Duke lexuar disa mesazhe nga partnerët e tij të huaj, tha se shqetësimi është në rritje në anën tjetër të kufirit dhe rrezikohen kontratat.

Biznesi duke i bërë thirrje politikës të risjellë stabilitetin në vend në mënyrë urgjente, tha se do të përshkallëzojë reagimet në vazhdim nëse nuk do të ketë reflektim nga palët e politikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë