Dosje

Biseda e fundit para vrasjes për pronën, Rei Meta kërkoi sqarim në kafe, Armando Meshau refuzoi: Ik shiko hallin, s’më bën dot gjë mua!

Gazeta Si – Konflikti mes Rei Metës dhe Armando Meshaut ka nisur për një apartament 60 metra katrorë në Radhimë.

Në dosjen e plotë të ngjarjes, sipas dëshmisë së Metës, biznesmeni i ndërtimit nga Vlora nuk i ishte përmbajtur kontratës së nënshkruar, ku në fund do të shpërblehej me shifrën 7 mijë euro.

“Kisha nënshkruar një kontratë sipërmarrjeje si komision për gjetjen e një trualli në Radhimë, ku do të ndërtonte Armando, ndërkohë që unë do të shpërblehesha me 60 m2 apartament dhe në këmbim do i jepja Armandos 7000 euro“, ka dëshmuar Meta.

Në bisedën e fundit mes djalit të anëtares së KLP-së (Nuruhan Seiti Meta) dhe viktimës, tensioni ka qenë i fortë.

Autori e ka ftuar 55-vjeçarin të uleshin në kafe për të zgjidhur mosmarrëveshjen, por mes të dyve kanë përfunduar fjalë dhe fyerje që përfunduan në tragjedi.

Në dëshminë e tij, Rei Meta ka shpjeguar se në ditën e ngjarjes kishte shkuar në Vlorë për të takuar një shokun e tij si dhe nënën, e cila gjendej në qytet.

Teksa ishte ulur në një lokal, ai ka parë Armandon, i cili i ka thënë, “ika se kam punë” dhe është futur në qendrën e internetit, ngjitur me kafen.

Pas disa sekondash, edhe Rei ka shkuar tek interneti. Ai i është afruar duke i thënë “hajde pimë kafe dhe flasim për kontratën që kemi”.

Por Armando është përgjigjur: “Nuk kemi fare se çfarë të flasim bashkë”. Rei i ka këmbëngulur: “Kemi kontratën që kam për të marrë një pronë”, por viktima i është përgjigjur: “Ik shiko hallin se nuk më bën asgjë”.

Rei ka vijuar: “Hajde ulemi dhe flasim të mos merremi me gjyqe”, ndërsa pretendon se pas kësaj Armando e ka goditur me grusht dhe ai i është kundërpërgjigjur instinktivisht, më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Në dosje thuhet se konflikti mes tyre ka nisur për një apartament 60 metra katrorë në Radhimë, për të cilën Armando Meshau u  shpërblye me shifrën 7 mijë euro. Prej kontratës së nënshkruar në vitin 2020, Rei Meta thotë se nuk ka marrë pjesën e tij dhe për një periudhë prej 7-8 muajsh, Meshau nuk i hapte telefonin.

“Rei Meta ka shpjeguar se me Armandon ai ka nënshkruar një kontratë sipërmarrje si komision për gjetjen e një trualli në fshatin Radhimë, ku do të ndërtonte Armando, ndërkohë që shtetasi Rei Meta do të shpërblehej me 60 m2 apartament dhe në shkëmbim do i jepte Armandos 7.000 euro.

Kontrata sipas këtij shtetasi është bërë që në vitin 2020. Pasi është bërë ndërtimi, sqaron se ka kërkuar të merrte pjesën e tij, por nuk ka mundur, pasi prej 7-8 muajsh shtetasi Armando Meshau, i kishte ndërprerë komunikimin pasi nuk i hapte më telefonin”, – thuhet në dosje.

Policia gjyqësore ka pyetur edhe personat që ndodheshin në kancelari në momentin që ndodhi ngjarja.

Në dëshminë e dhënë nga administratori i kancelarisë, mësohet se Rei Meta i është drejtuar Armandos me fjalët: “Unë të kam paguar për shërbimin dhe dua dokumentin”, ndërkohë Armando i është përgjigjur: “Jo me mua këto muhabete”.

Debati ka vijuar dhe Rei Meta i është përgjigjur: “Fol pak më qetë me mua se ka edhe njerëz të tjerë përreth që nuk na njohin”, ndërsa Armando është çuar në këmbë duke i thënë: “Seriozisht e ke ti” .

Pas këtyre fjalëve të shkëmbyera, viktima godet Metën dhe më pas ai i kthehet duke e gjuajtur disa herë me grushte.

Biznesmeni është rrëzuar në tokë, ndërsa autori është larguar me shpejtësi në drejtim të Gjykatës së Vlorës.

Rei Meta doli këtë të premte para Gjykatës së Vlorës, ku u la në masën sigurisë “arrest me burg” dhe akuzohet për “vrasje nga pakujdesia”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë