Rend dhe Ligj

Billa, në shërbim prove deri në 2024. E liroi gjyqtarja Hoxha që u ka dhënë lirinë disa të fortëve

Hekuran Billës sipas burimeve të gazetës “Si” i ishte konvertuar dënimi i përjetshëm (që në Britani quhet dënimi ekstrem me 32 vite) në 25 vite burgim. Kjo njohje dënimi u krye nga gjykatat në vend. Por në krye të dhjetë viteve burgim, viktima u lirua. Një vendim i Gjykatës së Apelit të Tiranës shpalli konvertimin në 25 vjet heqje lirie.

Gjatë vitit 2019, Hekuran Billa përmes avokatit Aldo Tabaku pretendoi se kishte vuajtur ndërkohë 19 vite heqje lirie. Gjykata në Krujë dhe konkretisht gjyqtarja Enkelejda Hoxha, një gjyqtare që ka liruar disa të dënuar të rrezikshëm vlerësoi se Hekuran Billa kishte nevojë për të dalë në liri, pasi familjarët e tij kishin nevojë për të.

Vendimi që mban datën 22 shkurt urdhëron lirimin me kusht për Billën për pjesën e pavuajtur të dënimit prej pesë vitesh. Pra, viktima ishte nën shërbim prove sipas burimeve të gazetës “Si” deri në vitin 2024, me kushtin që të rehabilitohej dhe të mos shoqërohej me persona problematikë.

Në lidhje me këtë vendim, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë njoftoi nisjen e verifikimeve, për të parë nëse gjyqtarja Enkelejda Hoxha ka respektuar ligjet dhe ndjekur procedurën ligjore në lidhje me këtë rast.

Billa nuk është i vetmi i liruar me firmën e gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha. Në janar la qelinë edhe Endrit Dokle, i dënuar fillimisht me burg përjetë si një prej anëtarëve më të rrezikshëm të bandës së Lulzim Berishës dhe më pas drejtues i bandës rivale me të në Durrës.

Mes lirimit të Dokles dhe të Billës është përdorur thuajse e njëjta skemë. Për Doklen, gjyqtarja ka konvertuar dënimin përjetë me 25 vite burg dhe më pas me arsyetimin se ka kryer tre të katërtën e dënimit dhe për sjellje të mirë e ka liruar me kusht. Vendimi nuk shpërfilli vetëm dënimin me burg përjetë për Doklen, por edhe një dënim që ai e ka marrë në vitin 2013 me 16 vite burg për drejtimin e një organizate kriminale nga qelia ku vuante burgun përjetë.

Në rastin e Hekuran Billës, gjyqtarja Hoxha ka konvertuar dënimin me burg përjetë të drejtësisë angleze, (që është 32 vjet) me 25 vite burg në Shqipëri. Në të njëjtën mënyrë gjyqtarja në nëntor të 2017-ës, liroi Genc Tafilin, i përfshirë në vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit. Tafili kishte kryer 17 vite burg, nga 25 që ishte dënuar dhe u la i lirë për sjellje të mirë. Një tjetër lirim që mban firmën e gjyqtares Hoxha, është edhe ai i Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim. Paja njihet për disa nga arratisjet e tij në burgjet e Italisë dhe Gjermanisë. Paja u lirua disa ditë pas Tafilit.

Copyright © Gazeta “Si”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë