Lajme

Biletat false, Gjykata lë në burg 2 prej të arrestuarve

Gjykata e Tiranës ka lënë vetëm 2 prej të arrestuarve për falsifikimin e biletave dhe aboneve të transportit urban në Tiranë.
Në burg është lënë Lulzim Allaraj dhe Aldi Duka. Masa e sigurisë “arrest shtëpie” është dhënë për Ferdinand dhe Anastas Ibrahimi, Klodian Qato dhe Fatos Vrapi.
Ndërkohë, “detyrim paraqitje” u lanë Erisa Vora dhe Albana Vrapi.

Prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 7 nga 8 të arrestuarit. Prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Ferdinant e Anastas Ibrahimi (babë e bir), Fatos Vrapin, Evisa Vora, Klodiana Qato, Lulëzim Allaraj dhe Aldi Duka.
Ndërkohë, ka kërkuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për Albana Vrapin.
Ferdinant Ibrahimi deklaroi gjatë seancës se nuk ka dijeni për biletat e falsifikuara.
“Nuk kam dijeni për biletat e falsifikuara. Biletat e gjetura në makinë kanë qenë të vjetra e nuk ishin në përdorim”, është shprehur Ibrahimi.
Të arrestuarit, mes të cilëve tre janë administratorë të operatorëve të transportit publik në Tiranë, dispeçer dhe arkëtar kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin dhe kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë.
Prokuroria ka deklaruar se ka si prova materiale 150 mijë bileta që do të përdoreshin nga autobusët e tr linjave, përkatësisht të Tiranës së Re, të Unazës dhe të Porcelanit.
Gazeta Si ka mësuar se edhe pse zbulimi është kryer në fillim të muajit gusht, atëherë kur shtypshkronja e letrave me vlerë ka dhënë alarmin pranë Drejtorisë së Tatimeve, janë dashur disa ditë për të kryer hetimet. Së pari është kryer inspektim nga Drejtoria e Tatimeve në dy linja udhëtimi, përkatësisht pranë autobusëve të linjës së Tiranës së Re dhe të Porcelanit. Aty janë marrë bileta udhëtimi, për të cilat pas ekspertizës është konfirmuar që ishin false.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë