Mbi 40 persona të vdekur në Durrës, Thumanë dhe Lezhë, rreth 650 të plagosur dhe mijëra të tjerë pa banesa është bilanci i deritanishëm i tërmetit që goditi vendin mëngjesin e së martës.
Tre trupa të pajetë janë nxjerrë gjatë natës në rrënojat e pallateve të shembura në Thumanë, ku në mesditë Ministria e Mbrojtjes njoftoi zyrtarisht përfundimin e misionit të kërkim-shpëtimit në këtë zonë.
Ndërkohë, operacionet vazhdojnë në Durrës dhe në zonën e ish-Kënetës.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Mbrojtjes Civile dhe IGJEUM, që nga mëngjesi i së mërtës, ora 3.54 kur goditja kryesore pati magnitudë 6.4, e deri në këto momente janë shënuar mbi 400 pasgoditje.
Mbi 200 specialistë të kërkim-shpëtimit dhe emergjencave civile nga BE, Greqia, Turqia, Franca, Italia, Kroacia, Rumania, Zvicra, SHBA, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut kanë mbërritur orë pas ore në Shqipëri për të asistuar ekipet shqiptare.
Në kampingun e Thumanës dhe pranë objekteve të dëmtuara janë ngritur 67 çadra në të cilat janë akomoduar 700 banorë. Pranë kampingut të ngritur në qytetin e Durrësit dhe fshatrat Ishëm, Manzë, Sukth dhe Katund i Ri janë ngritur 181 çadra, ku janë akomoduar rreth 1450 banorë, si dhe janë montuar 10 banja fushore.
Kryeministri Edi Rama foli për ndihma të bollshme materiale dhe ftoi që ndihmat të përqëndrohen në kontribute financiare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.