Ekspozite

Bienalja e Arkitekturës në Venecia, hapet pavijoni shqiptar

Hapet në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës, në Venecia pavijoni shqiptar, nën titullin “Në shtëpinë tonë”.

Shqipëria përfaqësohet në këtë edicion të shtyrë për shkak të Covid 19, nga katër vajza arkitekte: Fiona Mali, Irola Andoni, Malvina Ferra dhe Rudina Breçani.

E pranishme në ceremoninë e hapjes ishte edhe ministrja e Kulturës, komisionere e këtij pavijoni, Elva Margariti.

Ministrja Margariti u shpreh se koncepti i përfaqësimit të Shqipërisë në këtë Bienale bazohet në konceptin e fqinjësisë si një traditë tipike shqiptare dhe që gjatë pandemisë na bëri të rijetojmë fqinjësinë edhe njëherë tjetër.

Kjo pjesëmarrje vjen me materiale të arkivit të filmit, materiale që sjellin realitetin e përjetuar në fqinjësi duke treguar që fqinji ynë është gjithmonë diku aty pranë dhe prezent në jetën e të gjithë shqiptarëve.

“Ne vijmë sot në Venezia me një histori lokale, mbushur me copëza historish personale për të ndërtuar atë pazëll, që ne e quajmë “Fqinjëri, një vepër në proces, ku secili mund të vendosë copëzat e veta, eksperienca jete, që kanë shenjuar jetën e secilit prej nesh. ‘Shtëpia jonë” nuk është një pavijon nostalgjik, por një nxitje për reflektim mbi atë çka përbën vlerë, mbi atë që duhet të ruajmë apo rishikojmë nga e shkuara. Gjatë pandemisë filluam të ridimensionojmë raportin tonë me shtëpinë si hapësirë, me të afërmit dhe fqinjët. Ky pavijon është një përgjigje për pyetjen e madhe të këtij edicioni: Si do të jetojmë së bashku?”, është shprehur ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ndërsa shton se “Hulumtimi në të shkuarën tonë të përbashkët, përmes rrëfimeve të familjarëve; pamjeve filmike të Arkivit Qendror të Filmit, kësaj pasurie që po ashtu do ta njohim më mirë, falë ambicies sonë për ta kthyer në Muzeun e Filmit; mendimeve të studiuesve, antropologëve, na çojnë drejt përgjigjes së pyetjes “Si do të jetojmë së bashku?”, shtruar nga kuratori Hashim Sarkis për Bienalen e Arkitekturës 2021, e cila është thjesht: Njih fqinjin tënd!”

Gjithashtu duke shfrytëzuar 20 filma shqiptarë, në Venecia dërgohet jo vetëm fqinjësia, por edhe kinematografia shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë