Futboll

Bien poshtë të gjithë skenarët, Superiorja nuk preket

Asnjë skuadër e përjashtuar dhe asnjë skuadër e ngjitur direkt nga Kategoria e Parë në elitën e futbollit shqiptar. Të gjithë skenarët që FSHF ka marrë në konsideratë ditët e fundit kanë rënë poshtë. Asnjëri prej tyre nuk jep garanci për të pasur një kampionat elitar më të mirë për arsye të ndryshme, kështu që 10-shja e Superiores mbetet po ajo, me Partizanin, Kukësin, Tiranën, Skënderbeun, Vllazninë, Flamurtarin, Teutën, Luftëtarin, Laçin dhe Bylisin.

Federata Shqiptare e Futbollit pritet të hedhë shumë shpejt kalendarin e kampionatit të ri, që zyrtarisht fillon më 24 gusht, por me gjasa për t’u shtyrë. Skënderbeu pritej të zbritej nga kategoria, pas vendimit të fundit të KAS-it për të lënë në fuqi dënimin 10-vjeçar nga UEFA jashtë Kupave të Europës, por nuk do të ndodhë kështu. Korçarët nuk do të marrin një tjetër dënim nga FSHF-ja dhe as nuk do të ndërrojnë emrin, siç ishte përfolur, gjithçka do të vazhdojë si më parë, madje presidentit Ardjan Takaj insiston për të mbajtur një ekip në nivele të larta dhe ka gati zyrtarizimin e Ilir Dajës në stol.

Nga një ndeshje mes Skënderbeut dhe Tiranës sezonin e fundit. Gazeta Sia, 7 gusht 2019

Edhe katër klubet që rrezikonin të mos licencoheshin për shkak borxhesh të prapambetura, Tirana, Vllaznia, Flamurtari dhe Luftëtari, nuk do të ndëshkohen. FSHF-ja u kishte vënë një ultimatum deri më 31 korrik, por edhe pse asgjë nuk ka ndryshuar në këtë situatë, këto klube mbeten pjesë e garës. Një tolerim që vjen i detyruar në këtë moment, sepse nëse ndonjë nga këto klube nuk licencohet, nuk ka kush ta zëvendësojë. Asnjë nga kandidatët për të qenë direkt në Superiore, nuk plotëson kushtet. Po ashtu, pritet që në shtator situata të ndryshojë, sipas premtimit të Kryeministrit Edi Rama për miratimin e disa ligjeve që favorizojnë klubet e futbollit.

Ekipi i Flamurtarit, një prej klubeve që kanë probleme me borxhet. Gazeta Si, 7 gusht 2019

Ndoshta Qeveria shqiptare mund ta ndihmojë futbollin, ose më saktë klubet me borxhe në tatime në këtë moment mjaft delikat. Për borxhet ndaj palëve të treta zgjidhjen duhet ta gjejnë vetë klubet, duke arritur fillimisht një marrëveshje paraprake për shlyerjen me këste. Kjo do të thotë se edhe Tirana, Vllaznia, Flamurtari dhe Luftëtari do të marrin pjesë në Superiore. Më kot shpresuan klube si Dinamo, Besa, Kastrioti dhe ndonjë tjetër për të garuar në Superiore. Janë klube që nuk kanë stadiume për momentin dhe FSHF-ja e ka parë të udhës të mos merrte përsipër një tjetër risk, ndaj dhe për të disatën herë ka vendosur të tolerojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë