Ekonomi

Bien eksportet, biznesi fason: Fajin e ka euro, po konsumojmë fitimet

INSTAT ka raportuar se eksportet kanë rënë gjatë tetëmujorit të parë të vitit.
Bizneset shqiptare kanë eksportuar 200 mld lekë ose 2,5 % më pak mallra krahasuar me një vit më parë.

Nga të dhënat vihet re se ato mallra që kanë ndikuar në uljen e eksporteve kanë qenë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike”, “Materiale ndërtimi dhe metale”, “Tekstile dhe këpucë”.

Florian Zekja nga Unioni i Fasonistëve Shqiptarë thotë për gazetën “Si” se ky lloj biznesi ka dy vjetë që është në gjendjen më të keqe të tij dhe po konsumon fitimet.

Shkak për këtë situatë, Zekja bën rënien e vazhdueshme të euros.

Florian Zekja, Unioni i Fasonëve

Prandaj, thotë ai nuk po mundim të nënshkruajmë kontrata të reja sepse jemi të pasigurt.
“Tregu i bursës është i përcaktuar. Përshembull, ne ofrojmë 0,05-0,07 euro për minutë prodhimin e një palë pantallonave. Rajoni e ka më shtrenjtë dhe nëse ne përpiqemi të ulim çmimin, nuk jemi më konkurentë në treg. Prandaj rënia e euros vazhdon të na dëmtojë duke na rritur pasigurinë për të investuar”- thotë Zekja.

Ai shpjegon për gazetën “Si” se sektori që përfaqëson ka potenciale të mëdha për tu zhvilluar sepse kërkesa nga jashtë kufijëve është në rritje, por “problematika e zhvelrësimit të euros na ka lënë në stanjacion”.

Nga llogaritjet që janë bërë rezulton se sektori fason ka mundësi të çelë 10 mijë deri në 12 mijë vende pune në një situatë normale ekonomike, por sipas Zekjës derisa është kjo situatë pasigurie dhe një mungesë garancie nga qeveria, eksportet shqiptare do të vazhdojnë të bien.

Jo vetëm për tetëmujronin, por edhe në Gusht, sipas INSTAT eksportet shënuan rënie me 2,0 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me 27,8 %, në krahasim me Korrik 2019. Deficiti tregtar i këtij muaji është 32 mld lekë, duke u rritur me 13,3 %, krahasuar me Gusht 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë