Lajme

Bien aksionet, rasti i dytë i virusit në SHBA tremb investitorët

Aksionet në Shtetet e Bashkuara kanë pësuar rënien e tyre më të keqe që nga fillimi i tetorit i vitit të kaluar dhe shqetësimet rriten pasi virusi i ri i rrezikshëm mund të dëmtojë ekonominë globale.
Në Wall Street, indekset S&P 500 dhe Nasdaq kanë rënë me 0.9% të premten. Rëniet e askioneve morën akoma më shumë vrull kur zyrtarët shtetërorë konfirmuan rastin e dytë të koronavirusit në SHBA. Pacientja, ishte një grua në të 60-tat më banim në Chicago e cila së fundmi kishte udhëtuar në Wuhan të Kinës, aty ku dhe ka patur përhapjen masive koronavirusi.
Dje, autoritetet kineze e zgjeruan rrethin e bllokadës së lëvizjeve të qytetarëve dhe në 12 qytete pranë Wuhan-it. Këto urdhëra kanë penalizuar lëvizjen e lirë të 35 milionë banorëve, që banojnë brenda rrethit të vënë nga qeveria e që nuk mund të udhëtojnë jashtë tij. Kjo masë është marrë nga autoritetet kineze në mënyrë që mos të ketë përhapje më të gjërë të këtij virusi që gjer më sot ka marrë jetën e 41 individëve si dhe ka shkaktuar më shumë se 1000 infeksione në mbarë botën.
Aksionet e linjave ajrore të ekspozuara nga impakti i kufizimeve të fluturimeve kanë rënë goxha. American Airlines ka rënë me 4 përqind dhe United Airlines ra me 3.5 përqind.
Lajmi gjithashtu goditi dhe aksionet e kompanive që kanë marrdhënie të ngushtë me ekonominë dhe tregun në Kinë. Aksionet e kompanisë së kazinosë Wynn Resorts, e cila mbështetet shumë nga të ardhurat e klientëve kinezë nga Macau, kanë rënë me më shumë se 3%.
Tregu i produkteve (commodities) ka reflektuar një pamje të zymtë të perspektivës për rritje globale duke marrë parasysh e rënien e çmimeve të naftës dhe bakrit.

Aksionet e energjisë dhe materialeve ranë gjithashtu në vlerë gjatë sesionit të tregtimit ditën e djeshme. Chevron ra me më shumë se 1% dhe Exxon Mobil ra me 0.7%.
Aksionet financiare u dobësuan pasi disa banka rajonale kanë deklaruar mungesë kërkese për kredi komerciale gjatë ditëve të fundit. Huntigton Bancshares ka rënë me 3.8%, ndërsa KeyCorp dhe Regional Financial, të dyja së bashku, kanë rënë me më shumë se 2.5%. JPMorgan Chase ra me 2.5%.
Ky ngërç financiar është pasqyruar me një rënie të theksuar të kthimeve të obligacioneve e cila shërben si bazë për normat e interesave në kreditë e bankave të nivelit të dytë. Kthimi (yield) i bonove të thesarit 10-vjeçar amerikan ra me 1.68%.
Lajmet e reja në përhapjen e virusit fatkeqësisht vunë në hijë momente të arta, që po krijoheshin në tregun e bursave. Sipas një survejimi muaji Janar në sektorët e prodhimeve dhe shërbimeve po tregonte rritje të fortë.
Të enjten, pas mbylljes së bursës, kompania “Intel” deklaroi fitime dhe shitje më të mira nga ato që priteshin nga rezultatet e tre-mujorit të katërt. Shitje të mëdha, sipas kompanisë, kishte për proçesorët e serverave e kjo solli e rritje në aksionet e saj me më shumë se 8%.
Të premten, përpara fillimit të tregtimit në bursë, American Express, raportoi fitime shumë të mira dhe dha një perspektivë optimiste për rezultatet e ardhshme të 2020-ës. Aksionet e saj u rritën me 2.8%.
Ndonëse një numër i vogël aksionesh pësuan rritje në vlerë, shumica prej tyre pësoi humbje. Kjo ishte diçka që investitorët nuk e kishin vënë re për një kohe të gjatë. Madje disa aksione ranë me 1.2% mbasditen e së premtes.
Gjithsesi, të premten tregu e mori pakëz veten nga humbjet e thella, përpara se të mbyllej tregtimi në bursë. Indeksi S&P 500, ndonëse ra gjatë këtyre ditëve, përsëri mbetet me 2% rritje gjer tani për muajin Janar. Një fillim i mbarë ky duke marrë parasysh dhe rritjen e madhe prej 28.9% që pati gjatë 2019-ës


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë