Shendet

Bie piku i gripit, por virusi do të jetë në qarkullim deri në prill

Dispanceria, fluks vizitash në muajt janar-shkurt, problem rrugët e sipërme të frymëmarrjes.

Nga Gazeta Si - Gripi vijon të qarkullojë normalisht në vendin tonë, ndonëse piku i tij në hyrje të muajit mars ka rënë.

Të dhënat e survejancës së shëndetit publik tregojnë për ulje të numrit të rasteve të të prekurve, për javën e parë të marsit në raport me dy muajt e parë të vitit 2023, janar-shkurt.

Por, edhe Covid-19 vijon të jetë prezent duke e rënduar situatën epidemiologjike.

Ekspertët e shëndetit publik thonë se virusi i gripit do të vijojë të jetë prezent në vendin tonë deri në prill ndaj duhet shtuar kujdesi pasi simptomat e tij janë të rënda, temperaturë e lartë deri në 39, dhimbje fyti, trupi dhe kollë e cila zgjat përtej normales deri në 3 javë.

Muajt janar-shkurt, piku i qarkullimit të virusit

Në periudhën janar-shkurt, u regjistrua numri më i lartë i të prekurve nga gripi në vendin tonë.

Sipas ISHP, brenda një jave numri i pacientëve arriti 20 mijë ndërsa vizitat në dispancerinë e Tiranës shkuan deri në 250 në ditë.

Mjekja pneumologe në dispancerinë e Tiranës, Silvana Sadria, thotë për Gazetasi.al se vetëm ajo në muajin janar regjistroi 850 vizita, ndërsa në shkurt numri shkoi 650.

"Në raport me dy muajt e parë, numri i vizitave në javën e parë të marsit është përgjysmuar, nga 30 vizita në ditë (janar-shkurt) në 15 (në mars).

Gjatë 2 muajve të parë, u prekën nga gripi  pothuajse të gjitha moshat, nga 15-70 vjeç. Problemet më të shpeshta ishin infeksionet në rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe kolla që zgjaste deri në 3 javë", thotë mjekja Silvana Sadria.

Edhe drejtoresha e spitalit "Shefqet Ndroqi", Silvana Bala thotë se situata paraqitet normale dhe rastet e shtruara janë më shumë pacientë kronikë.

Mjekët bëjnë apel që të shtohet kujdesi pasi megjithëse jemi në pranverë dhe ka ditë me diell, nuk duhet të ulim vigjilencën, duke qenë se virusi i gripit dhe Covid-19 janë akoma në qarkullim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë