Ekonomi

Bie euro në tregun ndërkombëtar. Europa gati “të prodhojë para”, Trump kërcënon

Europa ka deklaruar sot se mund të nisë të printojë para për të rritur ekonominë e saj, lajm që nuk ka kaluar pa u vënë re nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka reaguar menjëherë në llogarinë e tij në Twitter.

Presidenti i Bankës Qendrore Europiane Mario Draghi ka bërë me dije se është i hapur për të nxitur stimulin monetar nëse kushtet ekonomike të Europës nuk do njohin përmirësim.
Ai tha se BQE është gati të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion të saj, të cilat mund të përfshijnë uljen e normave të interesit dhe ringjalljen e lehtësimit sasior, që përfshin krijimin e parave të reja për të blerë asete si obligacionet qeveritare.

"Në mungesë të përmirësimit të ekonomisë, ose edhe nëse kthimi i inflacionit brenda objektivave kërcënohet, do të kërkohen stimuj shtesë", tha ai në Sintra, Portugali.
Deklarata e Draghit bëri që aksionet europiane të rriten dhe e kanë ulur euron me 0.3% ndaj dollarit.

Gjithashtu deklarata e Draghit provokoi ankesat e Trumpit, i cili shkroi në llogarinë e tij në Twitter se sa më e dobët euro aq “më e lehtë” është për Europën të "konkurojë kundër SHBA-ve".

"Ata po veprojnë kështu prej vitesh, së bashku me Kinën dhe të tjerët," tha Trump në Twitter, duke iu referuar Europës.

Normat e interesit në Europë janë tashmë negative dhe në nivele të ulëta rekord. Banka Qendrore Europiane thjesht përfundoi programin e saj të madh të blerjes së obligacioneve në dhjetor.

Reagimi i Trump si pasojë rënia e euros në tregjet ndërkombëtare, ka bërë që monedha e përbashkët europiane të bjerë në nivele rekord edhe në Shqipëri.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro është këmbyer sot me 121.64 duke rënë me 0,19 pikë nga dita e djeshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë