Çmimet e naftës ranë të premten pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Uashingtoni kishte arritur një marrëveshje paraprake me Iranin, duke rritur shpresat se konflikti në Lindjen e Mesme mund të jetë pranë përfundimit.
Kontratat për naftën amerikane (WTI) ranë me 1.61%, në 86.30 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Brent humbi 1.75%, duke zbritur në 88.8 dollarë për fuçi.
Duke folur nga Zyra Ovale, Trump tha se pret që marrëveshja të nënshkruhet “brenda pak ditësh”, duke shtuar se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet sapo marrëveshja të finalizohet. Më herët gjatë ditës, ai deklaroi gjithashtu se kishte anuluar një valë të planifikuar sulmesh ushtarake amerikane ndaj Iranit, duke argumentuar se negociatat me Teheranin kishin arritur nivelin më të lartë të udhëheqjes iraniane.
Megjithatë, Irani kundërshtoi pretendimet e Trump. Agjencia iraniane e lidhur me shtetin, Fars, raportoi se Teherani nuk kishte miratuar asnjë projekt-marrëveshje me SHBA-në. Sipas saj, Irani ende nuk ka dhënë një përgjigje përfundimtare dhe Uashingtoni është rikthyer te kërkesat e mëparshme, ndonëse ekziston mundësia që teksti i propozuar nga Irani të rishqyrtohet.
Analistët e BMO Capital Markets vunë në dukje se çmimet e naftës kanë mbetur relativisht të qëndrueshme pavarësisht tensioneve të fundit mes SHBA-së dhe Iranit. Sipas tyre, përpjekjet diplomatike, rrugët alternative të transportit përtej Ngushticës së Hormuzit dhe rënia e ndjeshme e importeve kineze të naftës kanë ndihmuar në zbutjen e rreziqeve gjeopolitike.
Edhe Citibank theksoi se ulja e importeve kineze të naftës ka ndikuar në frenimin e rritjes së çmimeve që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme. Banka vlerëson se Kina mund t’i mbajë importet pranë nivelit prej 8.7 milionë fuçish në ditë pa pakësuar ndjeshëm rezervat, çka sugjeron se kërkesa kineze nuk pritet të ushtrojë presion të madh për rritjen e çmimeve në afatin e shkurtër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje