Në tregun e kontratave të ardhshme një lëvizje e pazakontë ka ndodhur përsa i përket çmimit të njërit prej produkteve në bursën e CME-së (Chicago Mercantile Exchange). Produkti në fjalë i cili gjatë kësaj periudhe shënon ulje të befasueshme të çmimit është gazi natyror, i cili ka marrë vlera me më pak se 2 USD për MBTu (akronim që nënkupton vlerën 1 milionë njësi termike Britanike, Million British Thermal Units). Në ShBA, çmimet e paracaktuara të gazit natyror kanë kapur vlera të tregtimit si 1.895 USD/MBTU.
Arsyet e kësaj uljeje drastike sipas ekspertëve kanë ardhur si rezultat i uljes së kërkesës të gazit nga konsumatorët. Në tregun e tanishëm të gazit duket se nuk ka shumë nevojë për këtë produkt. Temperaturat relativisht të ngrohta të kësaj periudhe kanë qenë faktori kryesor në rënien e çmimit të gazit. Në ShBA dimri ka qenë i butë dhe temperatura të ngrohta vëmë re gjithashtu në Europë e Azi.
Ndërkohë oferta e gazit ka vazhduar normalisht, madje në ShBA gazi natyror ka marrë vlera rekord në prodhim. Ekspertët shqetësohen se mos do ketë rënie të mëtejshme në çmimin e gazit. Madje sipas Administratës së Informacionit për Energjinë Amerikane oferta e gazit natyror të prodhuar në ShBA nuk pritet të bjerë gjer në vjeshtën e 2021.

Nga kjo rënie e gazit janë prekur e disa kompani të prodhimit të gazit.
Aksionet e korporatës EQT (prodhuesja më e madhe e gazit natyror në ShBA) kanë rënë me më shumë se 60% gjatë këtyre 12 muajve. Po kështu aksionet e mjaft kompanive të tjera si Gulfport Energy, Antero Resources, Range Resources, etj. kanë shënuar humbje në bursën e aksioneve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.