Kosova

Betohen kryetarët e komunave në veri të Kosovës

Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci, bënë të enjten(25 maj) betimin në pozitat e tyre.

"Uroj që ne, tani e tutje, të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ua ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet", tha Zeqiri.

Ceremonia e betimit të Zeqirit u zhvillua në objektin e Zyrës komunale për komunitete në fshatin Çabër të Zubin Potokut, ndërsa Peci u betua në shkollën fillore "Isa Boletini" në fshatin Boletin të Zveçanit.

Kryetarët e këtyre katër komunave me shumicë serbe - që të gjithë shqiptarë - kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb, pas kërkesës së partisë së tij kryesore, Lista Serbe.

Që të tre kanë fituar mandatin për kryetar nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në komunat veriore të Kosovës më 23 prill. Këto zgjedhje u organizuan pasi Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në vend, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë për targat, u largua nga institucionet e Kosovës.

Shkolla fillore "Isa Boletini" - Komuna e Zveçanit

Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 3.47 për qind.

Javën që shkoi, më 19 maj, kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut – komunë gjithashtu e banuar me shumicë serbe, Erden Atiq, e ka bërë betimin para kuvendit komunal.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se qytetarët serbë janë intimiduar nga Beogradi zyrtar për të mos dalë në votime, por theksoi se Qeveria e Kosovës synon t'i funksionalizojë institucionet dhe punën në këto komuna, në mënyrë që të garantohen shërbimet publike për të gjithë qytetarët.

“Kjo nuk është zgjedhje, është obligim yni. Këtë angazhohemi ta bëjmë duke mbrojtur të drejtat e njeriut, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik, paqen dhe sigurinë në vend, sepse të gjitha këto janë normale në demokraci dhe në Republikë”, u shpreh Kurti në mbledhjen e Qeversë më 24 maj.

Në anën tjetër, Lisa Serbe e ka kundërshtuar zgjedhjen e kryetarëve të rinj në veri.

Nënkryetari i saj, Igor Simiç, i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës deri më 1 qershor për të “ndaluar represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”, në të kundërt “përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor, ata do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet".

Reagimet nga Beogradi

Edhe nga Beogradi zyrtar ka pasur reagime që kundërshtojnë ardhjen në pushtet të kryetarëve shqiptarë në komunat e banuara me shumicë serbe. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke nënvizuar se “ata nuk do të pranohen kurrë si kryetarë”, ka thënë se kjo është përpjekje për presion mbi serbët që të largohen nga shtëpitë e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë