Drejtësia

Betimi i Belerit / Zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë: Leja i jepet nga Gjykata e Posaçme

Nga Gazeta 'Si'-Gjykata e Lartë ka zbardhur vendimin për Fredi Belerin, i cili ka kërkuar leje që të betohet si kryetar bashkie para këshillit bashkiak të Himarës.

Në vendimin e gjykatës së Lartë që mban datën 7 nëntor 2023 sqarohet se për lejen e posaçme në kushtet ku ndodhet Fredi Beleri nuk ka kompetencë Drejtoria e Burgjeve por Prokuroria.

Gjykata e Lartë argumenton se aksesi i drejtuesit të institucionit të paraburgimit në Durrës për të vlerësuar kushtet e aplikimit të kësaj leje është pothuajse inekzistent.

“Përcaktimi i sipërcituar që investon në mënyrë të drejtpërdrejtë gjatë fazës së hetimeve paraprake – në dhënien e “lejes së posaçme” për të arrestuarin nën masën e sigurimit personal “Arresti në burg” – konsensusin substancial të Prokurorit, presupozon diskrecionin e këtij të fundit në cilësinë e titullarit të kësaj faze të procedimit penal (të hetimeve paraprake) për të vlerësuar impaktin e këtij veprimi – dhënies së lejes – në drejtim të ndikimit/paragjykimit/ të rezultateve të hetimit, të fshehtësisë së tyre. Thënë në terma të tjerë, aksesi i drejtuesit të institucionit të paraburgimit në vlerësimin e kushteve të aplikimit të kësaj leje është pothuajse inekzistent’

Në të njëjtat kushte Kolegji konsideron – në mbështetje të konkluzionit, sipas të cilit, gjatë gjykimit të çështjes penale është gjykata që procedon – që disponon materialisht aktet – kompetente për t’u prononcuar lidhur për çdo kërkesë të të pandehurit, përfshirë edhe kërkesat subsidiare, të lidhura me gjykimin e procedimit kryesor dhe të atij incidental (që bëjnë fjalë për revokim, zëvendësim dhe shuarje të masës së sigurimit personal të caktuar për të siguruar procedimin kryesor) – sikurse në rastin konkret kërkesa për leje të posaçme – aksesin e drejtuesit të institucionit të paraburgimit – në verifikimin (vlerësimin) e kushteve të aplikimit të kësaj leje – në kushtet e inekzistencës” thuhet ndër të tjera në vendim.

Për Fredi Belerin janë dëgjuar disa dëshmitarë, midis tyre edhe Arsen Rama, i cili ka treguar se si u pagua për të siguruar vota në këmbim të 50 euro secila.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë