Futboll

Beteja me leuceminë, e gjithë bota e futbollit me Sinisha Mihajloviç

Një konferencë shtypi shumë prekëse ishte ajo e trajnerit Sinisha Mihajloviç, i cili pohoi para kamerave se vuan nga leucemia. Ai tregoi me shumë kurajë të gjitha detajet, duke pranuar se sëmundja është në fazë të përparuar, por po me shumë kurajë theksoi se do ta fitojë këtë betejë, duke luajtur në “sulm”.

Për trajnerin serb të Bolonjës është një nga momentet më të vështirë të jetës. Fjalët e tij i kanë prekur të gjithë dhe solidarizimi i botës së futbollit ka qenë i menjëhershëm. “Kam bërë analizat, sepse kisha temperaturë dhe nuk po më kalonte. Ishte e vështirë ta bindja bashkëshorten për temperaturën, bëra analiza të tjera dhe rezultoi se jam me leucemi. Goditje e rëndë, u mbylla në shtëpi dhe kam qarë dy ditë. Janë momente kur të kalon gjithë jeta përpara syve. Lotët e mi nuk janë lot frike, sëmundjen e respektoj, por do ta mund duke e parë në sy. Është në fazë të avancuar, por mund të shërohet”, - tha mes lotësh trajneri serb.

Një parullë në qytetin e Bolonjës, në mbështetje të trajnerit Mihajloviç

Brenda pak minutash rrjetet sociale u mbushën me postime në mbështetje të trajnerit Sinisha Mihajloviç. Reaguan në faqet e tyre zyrtare të gjithë klubet, ku ai ka luajtur dhe ka drejtuar: Roma, Lacio, Inter, Milan, Torino e shumë të tjerë. Mesazhe inkurajuese edhe nga shumë ish-shokë skuadre, me në krye Roberto Mançinin, por edhe nga ish-kundërshtarë, duke filluar nga Alesandro Del Piero. Mbështetja më e madhe vjen nga Bolonja, qyteti ku Mihajloviç punon aktualisht. Kapiteni i skuadrës, Blerim Xhemajli, shqiptari që luan për Zvicrën, ka folur me fjalë zemre: “Ai është si një baba për ne. I qëndrojmë pranë dhe e mbështesim për ta fituar këtë betejë”, ka thënë mesfushori.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë