Kombetarja

Besnik Hasi dhe dy italianë kandidatë për pasuesin e Edi Rejës

Gazeta Si – Në pritje të zyrtarizimit të largimit të trajnerit Edi Reja, kanë filluar të qarkullojnë emrat e parë të kandidatëve për të zëvendësuar italianin në stolin e Kombëtares. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mbetet ‘i fiksuar’ pas trajnerëve italianë dhe dy prej kandidatëve janë pikërisht nga vendi fqinj.

Dhe janë të dy emra të njohur. Xhankarlo Kamoleze është njëri prej tyre. Ai ka qenë pjesë e strukturës së ekipeve kombëtare shqiptare, ku ka mbajtur postin e drejtorit teknik. E ka lënë këtë detyrë tashmë dhe shihet si një kandidat për të zënë vendin e Rejës.

De Biazi dhe ish-kapiteni Cana. Gazeta Si, 29 shtator 2022

Italiani tjetër është Xhani De Biazi, që aktualisht drejton Azerbajxhanin. Ai njihet mjaft mirë, pasi ka drejtuar kuqezinjtë për disa vite dhe ka qenë në krye të tyre në arritjen historike të Euro 2016. Vetë De Biazi e ka lënë të hapur rikthimin te Shqipëria.

Besnik Hasi është një tjetër kandidat, por ai përflitet edhe për të marrë drejtimin e Kosovës. Emri i Hasit ka dalë shpesh në skenë për të qenë në krye të kuqezinjve, megjithatë në asnjë rast nuk ka ndodhur kështu. Ndoshta ka ardhur momenti që një ekipin ta drejtojë një ish-lojtar i Kombëtares.

Hasit nuk i mungon eksperienca ndërkombëtare. Më parë ai ka drejtuar ekipe të njohura në Europë, si Anderleht, Legia e Varshavës dhe Olimpiakos.

Tani mbetet të mësohet vetëm nëse Reja do ta drejtojë Kombëtaren edhe në dy miqësoret me Italisë dhe Arabinë Saudite, apo do të largohet menjëherë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë