Ngjarje

Besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin, pandemia ndryshon ritet e festës

Besimtarët myslimanë festojnë këtë të premte Kurban Bajramin, por të diktuar nga një protokoll i veçantë për shkak të pandemisë së Covid-19.

Besimtarët e kanë nisur këtë ditë me faljen e namazit nëpër xhami, dhe në sheshet pranë tyre. Të shumtë kanë qenë ata që kanë respektuar distancën dhe kanë vendosur maskë.

Ky rit fetar ndiqet edhe në vende të ndryshme të botës. Ceremonia qendrore e Kurban Bajramit, ku i pranishëm ishte dhe kryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, u zhvillua në xhaminë e “Kokonozit” (Pazari i ri) Tiranë, ndërkohë që falja e Namazit ishte në 06:30, ndërsa Hytbeja e Kurbanit në 06:35.

Në faljen e Kurban Bajramit kreu i KMSH-së, Bujar Spahiu tha se ky vit do të mbahet mend gjatë tek besimtarët për shkak të pandemisë që ndali dhe kryerjen e Haxhit dhe mbledhjes mes njëri tjetrit për të festuar. Spahiu theksoi se dashuria dhe shpirti i sakrificës mund të tregohet edhe në mënyra të tjera nga besimtarët myslimanë duke respektuar edhe masat e pandemisë.

“Sot gjendemi në ditën e begatë të Kurban Bajramit ku atmosfera shpirtërore ndodhet anë e mbanë. Qofshit  të gëzuar me të afërmit e zemrës tuaj. Haxhi është pjesë e pandarë e besimtarëve myslimanë, ku është kulmi i përkushtimit fizik, por këtë vit për shkak të pandemisë mungesa e kësaj do të mbesë gjatë në mendjen e besimtarëve. Besimtarët e mirë mund të nxjerrin mesazhet e duhura dhe të kuptojmë urtësinë e zotit në këtë drejtim”, shprehet Spahiu.

Ndërkohë te besimtarët myslimanë në rrethe është vënë re moszbatimi i rregullave anti-Covid, duke mos mbajtur maskën dhe distancimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë