Ngjarje

Xhamitë mbyllur në Kosovë, pak besimtarë falin Bajramin në Maqedoninë e Veriut (fotogaleri)

Xhamia e Madhe në Prishtinë dhe ajo e Çarshisë kanë qenë boshe mëngjesin e së premtes, kur duhej të falej Kurban-Bajrami.
Këto xhami dhe të tjerat në Kosovë që mbledhin mijëra besimtarë në festa si kjo, janë mbyllur me vendim të Bashkësisë Islame të Kosovës, për të frenuar, siç është thënë, përhpajen e koronavirusit.
Edhe me masat e reja të miratuara nga Qeveria e Kosovës, “pjesëmarrja fizike e qytetarëve në të gjitha ceremonitë dhe veprimtaritë fetare në Kosovë” është e ndaluar.

Xhamia e Çarshisë në Prishtinë pa besimtarë.

Pas lëshimit të ezanin, mëngjesin e së kësaj të premte.

Pasi lëshimit të ezanin, xhamia mbyllet.

Xhamia e Madhe në Prishtinë.

Një burrë qëndron i vetëm para Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

Edhe rrugët përreth xhamisë janë pa njerëz.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës pranë Xhamisë së Madhe.

Disa besimtarë bëhen gati për therjen e kafshëve për Kurban Bajram.

Është traditë që për Kurban Bajram të theret një kafshë.

Falja e Kurban Bajramit në fshatin Dinoshë të Malit të Zi.

Bajrami në Maqedoninë e Veriut falet me numër të vogël besimtarësh
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, Shaqir Fetahu, nuk u është bashkëngjitur besimtarëve myslimanë në faljen e namazit të Kurban Bajramit, për shkak se ka rezultuar pozitiv në testin për koronavirus.
Në funksion të respektimit të rekomandimeve për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, falja e namazit të Kurban Bajramit në Maqedoninë e Veriut është bërë me një numër të vogël të besimtarëve brenda në xhami, të cilat janë dezinfektuar paraprakisht, por besimtarët i kanë shfrytëzuar kryesisht ambientet e hapura, gjegjësisht oborret e xhamive, duke e shkurtuar edhe kohën e faljes në 10 minuta.
Për shak të koronavirusit, Bashkësia Fetare Islame e ka anuluar organizimin e manifestimit qendror tradicional të namazit të Kurban Bajramit.
Fetahu i ka uruar besimtarët myslimanë përmes rrjeteve sociale, duke iu bërë apel që të jenë të kujdesshëm dhe t’iu përmbahen rekomandimeve të organeve kompetente.

“Me lutjet tona t’i drejtohemi të madhit Zot, që me mëshirën e tij të lëshojë ndihmën e vet të pakufishme, që ta tejkalojmë sprovën e madhe, të rrezikshme për njerëzimin - sëmundjen COVID-19 [që e shkakton koronavirusi] - dhe njëherësh t’i lutemi që t’i shërojë të gjithë të sëmurët kudo në vend dhe anembanë botës, ndërsa viktimat që humbën jetën, t’i përfshijë në mëshirën e vet të pakufishme. Vazhdoni të jeni në shërbim të tejkalimit të kësaj pandemie, sepse angazhimi i madh i yni në këtë sferë do të jetë shërbim ndaj të madhit Zot”, ka theksuar në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve myslimanë kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Shaqir Fetahu.
Myftiu i Shkupit, Qenan Ismaili, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se edhe kundrejt respektimit të rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame është infektuar gjatë vizitës te një familje për ngushëllime.
“Këtë periudhën e fundit, ai i ka pasur shumë nën kontroll kontaktet, duke respektuar rekomandimet, kështu që vetëm kryetari ka dalë pozitiv dhe jo edhe të punësuarit tjerë në këtë institucion”, ka thënë Ismaili, duke i porositur besimtarët se "edhe më shumë do ta lartësojnë këtë festë, nëse u përmbahen rekomandimeve nga institucionet shëndetësore për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit".
“Bashkësia Fetare Islame i fton të gjithë besimtarët, të cilët kanë nijet të therin kurban [kafshë], ta bëjnë këtë në thertore profesionale, duke marrë parasysh pandeminë dhe pasojat që mund të jenë nëse kjo bëhet në ambiente shtëpiake”, ka thënë Ismaili. /Radio Evropa e Lirë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë