Sociale

Besimtarët e krishterë në Shqipëri kremtojnë festën e Krishtlindjes

Besimtarët e krishterë kanë kremtuar këtë të shtunë që në mëngjes Krishtlindjet, një prej datave më të rëndësishme të kalendarit të tyre fetar.

Për të dytin vit radhazi, mesha është afruar në kohë, për shkak të orës policore që qëndron në fuqi. Imzot George Frendo ka mbajtur meshën e tij të fundit, pasi ka dhënë dorëheqjen.

Ai përcolli edhe mesazhe për më shumë dashuri dhe paqe mes njerëzve. Krah tij, qëndronte edhe arqipeshkvi i ri, Arjan Dodaj. Nga përfaqësuesit e Kishave bëhet me dije se nuk do të ketë vizita nga politikanët.

Edhe këtë vit, për herë të dytë radhazi besimtarët festojnë në masa kufizuese, për shkak të pandemisë Covid.

Në Katedralen "Ngjallja e Krishtit" ka filluar mbajtja e meshës që në mëngjes, nën drejtimin e kryepeshkopi Anastas Janullatos. 

Mesazhe paqeje kanë dhënë dje  edhe krerët e besimeve fetare dhe po ashtu edhe politikanët. Kryepeshkopi Anastas Janullatos, teksa uron besimtarët shkruan se dhurata më e bukur në këtë ditë është forcimi i besimit në Zot.

Presidenti Ilir Meta bën thirrje për solidaritet dhe kujdes ndaj atyre që kanë nevojë për përkrahje. Në këtë datë të veçantë për besimtarët e krishterë, kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se kjo është një ditë kur gëzimi mund hidhërimin dhe shpresa fiton mbi vështirësitë.

Kryeministri Edi Rama ka sjellë në vëmendje tërmetin tragjik të 26 nëntorit. Rama ka ndarë në ‘Facebook’ një video me momente nga tërmeti, por edhe me banesat e ringritura nga rindërtimi ku banorët do t’i festojnë Krishtlindjet në shtëpi të reja. “Mirëmëngjesi, në këtë ditë të bekuar paqeje, pushimi, reflektimi dhe shprese”, shkruan Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë