Ka ndodhur

Besimtarët e krishterë festojnë Krishtlindjen në Shqipëri, mesha për më shumë paqe dhe mbarësi

Gazeta Si - Mijëra besimtarë të krishterë në Shqipëri kanë kremtuar Krishtlindjen e parë pa kufizime nga pandemia e Covid-19.

Mëngjesin e kësaj të diele po mbahet mesha e besimtarëve ortodoksë në katedralen "Ngjallja e Krishtit" në kryeqytet. Meshën e mban kryepeshkopi Anastas Janullatos.

Ndërkohë që të shtunën në mbrëmje, në Katedralen e “Shën Palit”, kreu i kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës Arjan Dodaj drejtoi meshën për besimtarët katolikë.

Mesha e Krishtlindjes për besimtarët katolikë nisi rreth orës 23:00 në Katedralen e Shën Palit dhe vazhdoi deri pas mesnate.

Kreu i Kishës Katolike Imzot Arjan Dodaj, pati edhe një mesazh solidariteti me të pamundurit, por edhe një reflektim për pasojat e luftës.

“Pamundësia për shumë familje të varfra që të kenë kushte më dinjitoze dhe shpeshherë një klimë mosbesimi e ushqyer nga egozimi dhe korrupsioni, të pranojmë Jezusin foshnje, si të vetmin dhe të gjithanshmin ilaç për jetën tonë që ka fjalë të jetës dhe jetës së pasosur”, - ishte mesazhi i Imzot Arjan Dodajt.

Qytetarët luten për më shumë mirëqenie, dashuri e paqe mes tyre.

Krishtlindja është festa e dytë më e rëndësishme në kalendarin e besimtarëve katolikë dhe ortodoksë, pas Pashkës.

Sipas besimit ortodoks dhe katolik, në këtë ditë ka ardhur në jetë nga Virgjerësha Mari, shpëtimtari Jezu Krishti, biri i Perëndisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë