Ekonomi

Besimi në ekonomi arrin në nivelin më të ulët që nga 2021-shi. Konsumatorët presin përkeqësim të situatës

Nga Gazeta 'SI'- Treguesi i besimit në ekonomi ka shënuar rënie me 1.9% në muajin shtator, krahasuar me muajin gusht, duke arritur pikën më të të ulët që nga 2021-shi.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia është ndikuar nga përkeqësimi i besimit në sektorin e ndërtimit, shërbimeve dhe tek konsumatorët. Besimi në industri dhe tregti ka pësuar rritje të lehtë.

Treguesi i besimit konsumator ra me 3.1% në shtator, ndikuar nga pritjet për përkeqësim të situatës ekonomike në vend dhe rënie të fuqisë së tyre blerëse.

Besimi në ndërtim pati rënien më të lartë gjatë shtatorit, me 5.3%, ndikuar nga pesimizmi për aktivitetin ndërtues. Bizneset në këtë sektor presin dhe rënie të punësimit dhe çmimeve. Nga ana tjetër, vlerësimi i tyre për kontratat porositëse ishte në rritje në këtë muaj.

Treguesi i besimit në shërbime, ra me 3% gjatë shtatorit, ndikuar nga rënia e të dy komponentëve përbërës, vlerësimet për ecurinë aktuale të aktivitetit të tyre dhe vlerësimet për kërkesën. Pritjet e bizneseve të shërbimeve për çmimet në  të  ardhmen  janë  rritur.

Besimi në industri dhe tregti shënoi rritje gjatë shtatorit, me nga 1%. Bizneset në industri patën rritje të kërkesës së jashtme dhe të brendshme. Ata presin rritje çmimesh të mëtejshme. Pritshmëritë e tyre për prodhimin janë në rënie.

Bizneset tregtare kanë vlerësuar me optimizëm ecurinë aktuale të biznesit, ndërkohë që pritjet për punësimin në muajt  e  ardhshëm  mbetën  pothuajse  të  pandryshuara.  Pritjet  për  çmimet  që  do të vendosin në të ardhmen kanë pësuar rritje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë