Ekonomi

BERZH parashikon rritje ekonomike në Rajon, por virusi Delta mbetet rrezik

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka përmirësuar parashikimin e rritjes për 38 ekonomitë e vendeve, duke deklaruar se ato po rimëkëmben.

Megjithatë, perspektiva ekonomike në shumë vende do të jetë ende e cënuar ndërsa varianti Delta po vazhdon të përhapet me shpejtësi,-vlerëson BERZH.

BERZH, këtë vit parashikon rritje në të gjithë rajonin me 4.2%, krahasuar me parashikimin e shtatorit prej 3.6%.

Vitin e kaluar Europa Juglindore dhe Ballkani Perëndimor kishin ndryshimet më të mëdha në rritje, me gati 2% shtesë.

Ky ndryshim pozitiv i atribuohet faktit që së fundmi, shumë vende kanë përshpejtuar fushatën e vaksinimit kundër COVID-19 dhe gradualisht kanë hequr masat e distancimit social.

Rritja e fundit në kërkesën e mallrave dhe çmimet për një larmi mallrash kanë rritur ndjeshëm sektorin e eksportit të shumë ekonomive në zhvillim. Ekspertët e BERZH pohojnë se, krahasuar me vitin 2020, perspektiva ekonomike e vendeve është tani shumë më pozitive.

Sidoqoftë, pavarësisht parashikimeve optimiste, sfidat për ekonominë globale në përgjithësi, dhe për ekonomitë e ndjekura nga BERZH në veçanti, mbeten serioze, pasi varianti Delta po vijon të përhapet me shpejtësi.

Parashikohet se përshpejtimi i fushatës së vaksinimit mund të lehtësojë rimëkëmbjen e aktiviteteve ekonomike, duke gjeneruar rreth 9 trilionë dollarë në ekonominë botërore deri në vitin 2025. 

Prandaj, vaksina COVID-19 është “çelësi” për të ndihmuar vendet të përballen me sfidat e mësipërme ekonomike. Për këtë arsye, qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare duhet të heqin shpejt pengesat kryesore në prodhimin dhe furnizimin global të vaksinave, pa lënë asnjë vend ose rajon në vështirësi në luftën kundër COVID-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë