Politike

Berisha: Veliaj, 4 herë më shumë përgjegjës se Ahmetaj për djegësin e Tiranës  

Në një deklaratë për mediat Sali Berisha, akuzoi sërish kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, si përgjegjësin për inceneratorin e Tiranës.

 “Qytetarët duhet ta dinë të vërtetën se është personalisht Erion Veliaj, anëtari kryesor i klanit të plehrave, që kërkoi zyrtarisht zëvendësimin e trajtimit të mbetjeve me depozitim dhe seleksionim në Tiranë dhe zgjerimin e landfillit të sipërmarrjes publike të Sharrës me dhënien me koncesion privati të inceneratorit të Tiranës për trajtimin e plehrave. Erion Veliaj si kryetar bashkie ka kërkuar me disa shkresa dhënien me koncesion privat për 30 vite në vend të vazhdimit me praktikën e mëparshme të trajtimit të plehrave, apo në vend të investimit publik që është përdorur për djegësin e Elbasanit dhe Fierit. Shkëlqim Cani ka refuzuar kërkesën e Erion Veliajt, por edhe Arben Ahmetaj e ka refuzuar tre herë kërkesën e tij të paligjshme, dhe vetëm herën e katërt, mbasi Veliaj duke mashtruar një vendim të Këshillit të Qarkut të Tiranës, i cili nuk ishte mbledhur ndonjëherë, firmos në emër të tij. Arben Ahmetaj pranon me ‘no koment’ kërkesën e Veliajt.

Nuk ka dyshim se ‘no koment’ e implikon Arben Ahmetaj plotësisht në aferën e djegësit të Tiranës, por përsëritja me insistim 4 herë e kërkesës për dhënien me koncesion të djegësit të Tiranës nga Erion Veliaj e implikon Lalë djegësin 4 herë më shumë, ligjërisht dhe penalisht më shumë se kushdo tjetër”, tha Berisha.

Më tej ai shtoi: “Erion Veliaj me firmën e tij në kundërshtim me ligjin, me datën 27 mars 2017 garanton Arben Ahmetaj se Bashkia e Tiranës do të përballojë vetë shumën 91 milionë euro për koncesionin e Tiranës që kushtonte 128 mln euro. Mirëpo ligji përcakton qartë se për çdo qindarkë që lëviz nga buxheti i bashkisë vendimi merret vetëm e vetëm nga Këshilli Bashkiak e jo kryetari i Bashkisë.

Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur 7 muaj më vonë, nga dita e firmës falso të hajdut Veliajt. Ai është mbledhur në shtator 2017, pra 1 muaj pasi kontrata për koncesionin e djegësit tashmë ishte nënshkruar në gusht të vitit 2017.

Falsifikimin e vendimeve të pa marra të Këshillit bashkiak të Tiranës dhe Qarkut të Tiranës Erion Veliaj e ka bërë vetëm e vetëm për leverdi të tij personale dhe jo kurrë për Zoton dhe Gugallen”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë