Politike

Berisha: Strumbullari i aferës së AKSHI-t është çifti Rama

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal sërish te skandali i AKSHI-t, duke akuzuar se pas tij qëndron kryeministri Edi Rama me bashkëshorten e tij.

Në konferencën për shtyp, kryedemokrati ironizoi teksa tha se kryeministri Edi Rama e “shiste” AKSHI-n si një histori suksesi, ndërkohë që rezultoi një nga aferat më të mëdha.

Sipas Berishës, përfituesi kryesor i tenderave të Agjencisë ishte Armand Frangu, për ta cilat janë marrë peng biznesmenë.

“Mos injoroni dhe mos u trembni t’u thoni shqiptarëve të vërtetën se Armand Frangu është krye-peshkaqeni i AKSHI-t. Se Ergys Agasi, Ermal Beqiri, kanë vepruar që të gjithë në funksion dhe në bashkëpunim me Armand Frangun.

Se Sali Berisha, në vitin 2024, ka paraqitur para publikut regjistrimin ambiental të bërë bisedës së Gerond Meçes me një person tjetër që do merrte pjesë në tendera. Dhe se në atë bisedë, Gerond Meçe i thotë: kompania ABS është e Frangut, e baxhanakut, pavarësisht se është e regjistruar në emër të Gerondit.

Dhe se fituesit e tenderave, natyrisht i përcakton patronazhistja Linda Rama. Çfarë ka treguar dosja? Ka treguar një gjë shumë interesante.

Biznesmenët që donin të marrin pjesë në tendera, i priste Mirlinda e gjorë e AKSHI-t, të cilin avokati Edi Rama, për të shpëtuar Lindën e Surrelit, e paraqet si të varfër që ka gjetur një apartament okazion me qira. Por kur biznesmenët paraqiteshin tek kjo, Linda e AKSHI-t i dërgonte ata tek Ermal Beqiri në hotele luksoze”, tha ai duke komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama i cili para disa kohësh i doli në mbrojtje ish drejtoreshës, Mirlinda Karçanaj duke thënë se ajo jeton në shtëpi me qira dhe nuk ka makinë.

Sipas Berishës Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, dy biznesmenët e shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen AKSHI, qëndrojnë të sigurtë brenda vendit dhe mbrohen me urdhër të Edi Ramës.

Për Ermal Beqirin, ai tha se meriton së paku 30 vite burg për nxjerrjen në treg të “20 milionë deklaratave tatimore konfidenciale të qytetarëve me urdhër të Ramës”. Për Agasin, Berisha pretendoi se ka qëndruar në Manëz për një kohë pasi SPAK lëshoi urdhër arrest ndaj tij si dhe në Surrel.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë