Politike

Berisha: SPAK u dekonspirua, urdhër-arrestet u shitën nga 3 deri në 5 mln euro. Fajtor Rama dhe Balla

Sali Berisha deklaroi se operacioni i SPAK për kapjen e zyrtarëve të lartë të policisë, biznesmenëve e prokurorëve është dekonspiruar.

“Jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe dështimin e operacionit antikrim të ndërmarrë dje dhe pardje, në të cilin, nga 15 mandate arresti, janë ekzekutuar gjithsej 4. 11 të tjera janë shitur. Janë shitur me shumë marramendëse, me shuma që shkojnë, siç flitet edhe 3 dhe 5 milionë euro. Bosët e drogës dhe krimit, paratë i kanë në kontejner të groposur, për të shpëtuar kokën, nuk njohin kufi.

Por dekonspirimi i aksionit jashtëzakonisht të rëndësishëm, është një akt, një megakrim i vërtetë. E bën shumë dëshpëruese përpjekjen e atyre, të cilët përpiqen të çlirojnë shqiptarët nga kthetrat e krimit. Të dekonspirosh në një operacion, mbi 72 përqind të mandat arresteve, je 7 herë kriminel më keq se ata që i informon, pavarësisht nga krimi që mund të kenë kryer”, tha Berisha.

Fajtorë për këtë, ai bën sërish kryeministrin Edi Rama dhe Taulant Ballën, ministrin e Brendshëm.

“Të gjitha fijet e këtij operacioni të çojnë te Edi Rama dhe Taulant Balla. Ju konstatuat se dje gjithë ditën, kishte dy njoftime, njëri se u arrestuan 6, në një kohë kur kishte vetëm katër emra.

Nuk dilnin me 4, se do kuptohej se dështimi ishte total. Së dyti, të tjerët ia kanë mbathur me kohë, sipas TIMS, dhe mjerisht keqpërdorin gazetarët në mënyrën më të pandershme, i dezinformonin. Se ikën para apo prapa, ata të gjithë ishin në Shqipëri. Njësoj siç u informua kryedezertori Arben Ahmetaj, u njoftuan edhe këta. Këtu jemi në një praktikë të zakonshme të këtij pushteti krimi për të njoftuar kriminelët që të largohen”, tha Berisha, teksa e quan si “sukses spektakolar të krimit” tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë