Politike

Berisha mbledh kryesinë për 14 majin: Mbyllim dosjen e shkeljeve, hapim analizën për gabimet dhe defektet që patëm    

Në fillim të mbledhjes së kryesisë së PD-së, Sali Berisha tha se dosja për zgjedhjet e 14 majit u është dorëzuar ndërkombëtarëve

“E thirrëm këtë mbledhje për të kaluar tani, për të mbyllur një fazë jashtëzakonisht të rëndësishme që ne e kemi cilësuar mbrojtjen e votës dhe për të kaluar në një fazë të re të një analize të thellë, të plotë dhe të gjithanshme të PD mbi funksionalitetin e saj gjatë fushatës elektorale, paraelektorale, gjatë procesit zgjedhor.

Por me këtë rast, unë dua të falënderoj me mirënjohjen më të thellë të gjithë kandidatët, ata mijëra anëtarë, simpatizantët tanë të cilët u angazhuan me përkushtim të madh për rezultatin më të mirë të mundshëm në zgjedhjet që kaluan.

Ne foto: Sali Berisha duke folur para mbledhjes se kryesise se drejtuar prej tij

Unë i garantoj ata se investimi i tyre, mundi dhe djersa e tyre, ka dhe do të ketë vlerësimin më të madh dhe mirënjohjen më të thellë të PD. Rezultati i mundit dhe punës së tyre nuk është pa fryt, atë ç’ka u arrit, u arrit për shkak të angazhimit, përkushtimit të tyre’, tha Berisha, duke kaluar në pikën e dytë të rendit të ditës atë të evidentimit të të metave të fushatës së PD.

“Kjo nuk do të thotë se ky angazhim dhe përkushtim ishte i njëtrajtshëm, kjo nuk do të thotë se nuk pati gabime, defekte dhe të meta në makinerinë tonë elektorale. Ndaj edhe ne çelim siparin e një analize të thellë, të plotë të procesit zgjedhor.

Zonja dhe zotërinj, anëtarë të kryesisë së PD. Të dashur qytetarë shqiptarë. Grupi i punës i ngarkuar për hartimin e raportit të procesit zgjedhor me në krye z.Bylykbashi, znj.Albana Vokshi, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Ervin Minarolli, dhe të tjerë mund të them se kanë bërë një punë jashtëzakonisht serioze.

Kryesia e PD se drejtuar nga Sali Berisha

Ata në mbi 600 faqe, dhe ky është raporti. Në mbi 600 faqe kanë dokumentuar me fakte, me dokumente të gjithë farsën zgjedhore të 14 majit. Ky ishte detyrim madhor i yni. Forca jonë politike i detyrohej çdo qytetari shqiptar që beson në zgjedhje të lira, çdo demokrati dhe demokrateje që investoi në këtë proces zgjedhor.

Ky raport i cili tashmë është dërguar dhe në institucione ndërkombëtare, do t’iu dorëzohet të gjitha kancelarive perëndimore, do t’i dorëzohet të gjitha mediave në Shqipëri dhe në botë, të gjitha institucioneve ndërkombëtare. Është raporti i dramës së një kombi që i kanë mohuar të drejtën e votimit, ose ia kanë shndërruar në fiktive të drejtën e votimit”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë