Kombetarja

Berisha lë Kombëtaren i dëmtuar, thirret me urgjencë Selmani

Ka ndryshuar lista e lojtarëve të grumbulluar nga Kombëtarja për ndeshjen e nesërme me Islandën. Për arsye dëmtimi është larguar nga grumbullimi portieri Etrit Berisha dhe në vend të tij është thirrur me urgjencë Gentian Selmani nga Kombëtarja U-21.

Nuk bëhet me dije se çfarë dëmtimi ka pësuar Berisha në stërvitje, por tashmë është fakt që ai e ka lënë grumbullimin e kuqezinjve për t’u kthyer në Itali për ta bërë aty fazën riaftësuese dhe për të qenë gati për ekipin e rij, Spalin. Në ndeshjen me Francën trajneri Reja zgjodhi Strakoshën titullar dhe kështu do ndodhë edhe nesër ndaj Islandës. Dëmtimi i Berishës ia ka “lehtësuar” zgjedhjen në këtë rast, edhe pse mund të ketë edhe dyshime për një situatë të ngjashme me atë të Eros Grezdës, i cili pak kohë më parë la grumbullimin me pretendimin e dëmtimit, por më pas rezultoi se kishte pasur përplasje me trajnerin Reja.

Gentian Selmani, portieri i tretë i Kombëtares. Gazeta Si, 9 shtator 2019

Selmani i bashkohet kështu Strakoshës dhe Hoxhës në Kombëtare për ndeshjen me Islandën. Ai luajti titullar me ekipin Shpresa në miqësoren me Francën pak ditë parë, ndërkohë që është grumbulluar edhe më parë me Kombëtaren A. Ish-portieri i Laçit u transferua në Turqi këtë verë, duke firmosur për Nemen Spor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë