Gazeta Si – Pak pasi zbatoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në SPAK për aferën “Partizani”, Sali Berisha doli jashtë dhe vijoi sulmet ndaj Altin Dumanit, prokurori i dosjes për të cilën akuzohet ish-kryeministri së bashku me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi.
Krydemokrati e akuzoi ish-kreun e SPAK, se ka bërë deklarim të rremë të pasurisë së tij, në formularët e ILDKPI-së, për të kaluar procesin e Vettingut. Berisha tha se “vila e ndërtuar në vitin 2000, rezulton tokë bujqësore në vitin 2004”.
Sipas tij, ky është një “skandal i paparë ndonjëherë”, ndërsa kërkoi largimin nga detyra të Dumanit si prokuror i SPAK-ut.
“Herën e kaluar ju tregova se si Altin Dumani ka deklaruar se ka blerë apartament dhe zyrë me vlerë disa herë më të ulët sesa vlerat e tregut. Sot, unë jam këtu për një denoncim tjetër, – u shpreh Berisha para mediave. – Ky njeri, që kryeson Vettingun, është i padenjë për çdo funksion, përveçse për bandën e akuzës. Sot do t’ju tregoj për vilën ku banon Altini. Ai thotë se banon me qira. Me dokumente shtetërore është deklaruar se vila është ndërtuar pothuajse e tëra para martesës së Dumanit, në mënyrë që askush të mos e lidhë ndërtimin e vilës me dhëndrin. Ai u bë dhëndër në atë familje pasi vila kishte përfunduar”.

Berisha shtoi se “kur u bë vettingu, prindërit e bashkëshortes së tij paraqitën një deklaratë noteriale, duke deklaruar se paratë i kanë marrë nga një misionar. E kuptoni ju, bamirës i madh, si puna e Rrapush Xhaferit. Kanë qenë afro 45 mijë paund. Se si një misionar jepte 45 mijë paund për një familje, kjo është”.
Ndërsa tregonte deklaratat noteriale para gazetarëve, lideri demokrat tha se Dumani në disa aspekte, “ia kalon edhe Irena Gjokës”.
Më pas ai bën thirrje për largimin e Dumanit, nga detyra e tij aktuale si prokuror i SPAK-ut.
“Mos harroni se ky njeri, në zbatim të urdhrave, ndërmori atakun më të lartë të pluralizmit në Shqipëri, ky njeri prishi hetimin e inceneratorit, duke shpallur arrestin e Arben Ahmetajt. Ky njeri është vetë delikuent, një mashtrues. Dhe e paraqit vilën të ndërtuar para fejesës së tij. Ndaj t’i kërkojmë largimin e tij të menjëhershëm ngta detyra. Ndaj ky njeri mbron Irenën me 5 mbiemra. Se është vetë një delikuent, një mashtrues, se është vetë një pjatalarës!“
Duke vazhduar akuzat ndaj Dumanit, Berisha e akuzon Dumanin për “larjen e parave në vilën e tij, shkeljen e ligjeve të ndërtimeve pa leje dhe legalizimin në vitin 2026, tërheqjen si mafie në deklaratën e dosjes së Vettingut, sepse është shkatërrimtare deklarata”.
Berisha akuzohet se në cilësinë e kryeministrit të kohës, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi për ndërtimin e pallateve në truallin e ish-kompleksit sportive Partizani.
Edhe Malltezi është nën akuzë për korrupsion, por edhe për pastrim parash. Sipas SPAK, ai ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje