Politike

Berisha: Integrimi në BE, i padëshirueshëm për qeverinë

Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha u ndal në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, për të cilin u shpreh se sipas tij është marrë “peng” nga qeveria.

Në mbledhjen e grupit parlamentar, Berisha tha se ky proces po faktohet që sipas tij është marrë peng nga një organizatë kriminale që drejton Shqipërinë.

Sipas Berishës, integrimi i Shqipërisë në unionin europian është “i padëshirueshëm për qeverinë”.

“Shqiptarët duhet ta dinë se këta nuk kanë absolutisht asnjë interes për të ardhmen e tyre, përveçse për të ardhmen e vet dhe parajsën e tyre dhe të fëmijëve të tyre me paratë e qytetarëve shqiptarë. Për ta, integrimi evropian është një proces krejtësisht i padëshirueshëm sepse ky proces ka disa rregulla, ligje, standarde që përparësojnë interesat e qytetarëve shqiptarë dhe nuk pranon qeveritarët hajdutë, nuk pranon lidhjet me krimin të qeveritarëve.

Ky proces kërkon respektimin e lirive dhe të drejtave themelore, të votës së lirë të shqiptarëve, por edhe funksionimin e ekonomisë së tregut dhe rregullave të tregut. Opozita ka zgjedhur në këto kushte të qëndrojë e pamposhtur si zëri i ndërgjegjes së këtij kombi, që kërkojnë me çdo kusht ta izolojnë, ta poshtërojnë dhe ta largojnë nga rruga e integrimit“, tha ai.

Ai u ndal edhe tek çështja e Belinda Ballukut dhe tha se me mosheqjen e imunitetit, Edi Rama sipas tij e hodhi në kosh reformën e drejtësisë dhe bllokoi funksionimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë