Etrit Berisha dhe Berat Gjimshiti janë dy kuqezinjtë e Atalantës, dy elementë shumë të rëndësishëm për trajnerin e Kombëtares, Kristian Paunuçin. Nga ndeshja e fundit Roma-Atalanta, që u mbyll në barazim 3-3, trajneri italian ka marrë një sinjal mjaft pozitiv nga qendërmbrojtësi Gjimshiti, i cili luajti 90 minuta dhe u paraqit mirë. 25-vjeçari që sezonin e kaluar ishte huazuar te Benevento, është vlerësuar nga shtypi italian dhe specialistët për faktin se arriti të neutralizonte sulmuesin kryesor të Romës, Edin Xhekon. Ai është vlerësuar me notën 6.5. Bëri vetëm një gabim në atë ndeshje, në rastin e golit të dytë të Romës, megjithatë kaloi një provë të vështirë, duke rritur kuotat për të luajtur më shumë tek Atalanta.
Trajneri Gasperini e ka aktivizuar disa herë si titullar Gjimshitin dhe niveli i mbrojtësit kuqezi ka qenë i kënaqshëm. Për momentin, ai është alternativa e parë e trajnerit Panuçi për qendrën e mbrojtjes, sepse është i vetmi nga lojtarët e këtij reparti që po luan. Frederik Veseli ka qenë në stol në këtë fillim të sezonit me Empolin, kurse Mërgim Mavraj dhe Arlind Ajeti nuk kanë gjetur ende skuadër. E vërteta është se klubi bergamask e kishte në shitje Gjimshitin, por ofertat për të nuk ishin në nivelin e kërkuar dhe tani mbrojtësi kuqezi synon të shfrytëzojë shansin tek Atalanta.
Ndryshon situata për Etrit Berishën, i ulur në stol në ndeshjet e fundit. Një moment i vështirë për portierin kuqezi, pasi trajneri Gasperini po preferon 23-vjeçarin Golini. Pas një viti huazim, Atalanta vendosi të shpenzonte 5 milionë euro për ta blerë Berishën nga Lacio. Paraqitja e portierit ka qenë relativisht e mirë, por aktualisht ai ka humbur vendin e titullarit dhe i duhet të punojë më fort për të qenë sërish mes shtyllave nga minuta e parë. Nëse situata nuk ndryshon, ndoshta që në merkaton e dimrit Berisha mund të kërkojë shitjen nga klubi, për të kaluar në një skuadër, ku mund të luajë titullar.
Por porta është reparti që e shqetëson më pak trajnerin Kristian Panuçi, pasi ka në dispozicion edhe Thomas Strakoshën e Lacios. Ky i fundit është një titullar i padiskutueshëm edhe në ndeshjet me Izraelin dhe Skocinë, të vlefshme për Ligën e Kombeve, pritet të jetë titullari i portës kuqezi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.