Politike

Berisha huazon shprehjen e Ahmetajt: Koka e mbretit është Rama (dhe bën qartazi ndarjen mes Bashës dhe Bardhit)

Menjëherë pas votimit në Kuvend të kërkesës nga SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt, që përkoi edhe me konferencën e përjavshme për shtyp, Sali Berisha nuk u ndal më tek Ahmetaj por e drejtoi gishtin gjetkë kur tha se inceneratorët janë një ndërmarrje qeveritare e Edi Ramës.  

“...Çfarë janë Mërtiri, Zoto dhe Gugallja? Janë tre socialistë të thekur, biznesmenë ose jo, të hurit ose të litarit, ose jo, të cilët në këtë proces, arrijnë:

Të futen në garë të qeverisë duke pasur zero eksperiencë në fushën e mbetjeve. Cili biznesmen do i lejonte vetes një vendim të tillë, me zero eksperiencë në fushën e mbetjeve? Asnjë.

Së dyti, pasi nisën procesin me tenderin e Elbasanit, Edi Rama lëshon një vendim për shpalljen e emergjencës kombëtare të plehrave. A mund të besoni ju se Mërtiri dhe Zoto, kishin fuqi të bindnin Edi Ramën të shpallte emergjencën?”, tha ai. Sipas tij, dy qëllime ishin

“Së pari shkelmimi i strategjisë së trajtimit të plehrave në landfille dhe seleksiono, të financuar nga BE. Së dyti, shpallja e emergjencës pasi fondet duhet të merreshin nga fondet e emergjencës. Mendoni ju se Mërtiri dhe Zoto mund të ishin kaq të magjishëm? Apo që qeveritarët ishin kaq budallenj?

Kjo dëshmon se ndërmarrja është qeveritare, ishte e Edi Ramës. Mireli dhe Klodiani ishin të punësuar privatë në ndërmarrje.

Shkojmë pak më tutje, Mireli dhe Klodiani, dy personazhe, tani jo vetëm që duhet t’i merrnin këto, por duhet t’i merrnin me të gjitha kushtet që ata donin.

Po ka qeveri, ka ministra që mund të pranojnë të firmosin duke plotësuar të gjitha kushtet e një biznesmeni apo dy biznesmenëve? Kurrën e kurrës. Kjo ndodh vetëm kur sipërmarrja është e qeverisë.

A mundej Klodiani dhe Mireli të firmosnin 17 shkresa për 24 orë?”, pyeti Beriasha

Duke iu referuar një shprehje nga reagimi para miratimit në Kuvend të kërkesës se SPAK nga Arben Ahmetajt, Berisha tha se koka e mbretit është Edi Rama në këtë dosje.

Ai u pyet edhe për Lulzim Bashën dhe bëri distancimin nga ky i fundit kur u pyet edhe për Gazment Bardhin.

“Ka qenë një periudhë kur PD nuk pranonte të denonconte djegësat.

Për koincidencë, një familjar i imi që është specialist dhe merrej shumë me këtë punë, nuk i pranoheshin të bënte deklarata nga partia.

Kjo periudhë ka zgjatur.

Në një periudhë jo të shkurtër, PD ka refuzuar të japë për ekspertët e saj, hapësirën për denoncimin.

Është folur që këta kanë një lidhje me Mërtirin dhe Zoton, por nuk kam të dhëna për këtë.

Ajo që di është se për muaj të tërë nuk pranoheshin djegësat nga kjo seli”, tha ai. Kur u pyet për Bardhin dhe qëndrimin e mbajtur në Kuvend lidhur me cështjen Ahmetaj, Berisha u përgjigj: “Pse e duartrokita Gazment Bardhin? Se e mbylli fjalimin me të vërtetën më të madhe të kësaj afere.

U tha shqiptarëve se sipërmarrja është e Edi Ramës.

Duhet të budallepsësh çdo institucion, të besosh se ndërmarrja është e Klodian Zotos.

Dhe Gazment Bardhi e tha me qartësinë më të madhe dhe meritonte duartrokitjet e plota dhe i kam bërë me zemër.

Absolutisht jam i hapur në çdo kohë se ata janë deputetë të PD.

Tjetër është skenari i Ramës me Lul Bravën, tjetër janë kundërshtitë brenda PD-së”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë