Kombetarja

Berisha: Mbrojtja e konsoliduar, dimë si ta përballojmë Islandën

Portieri i Kombëtares dhe Atalantës, Etrit Berisha, doli para gazetarëve bashkë me mesfushorin Ergys Kaçe. “Gardiani” kuqezi ka theksuar se fati i kualifikimit në grup për Shqipërinë varet nga ndeshja me Islandën, që luhet më 8 qershor në Rekjavik. Sipas Berishës, skuadra ka entuziazmin dhe kualitetin për ta përballuar me sukses kundërshtarin e radhës edhe në fushën e tij, por i duhet të eliminojë disa gabime të vogla që ka bërë në ndeshjet e fundit:

“Atmosfera në ekip është e mirë dhe duke pasur një trajner me eksperiencë të madhe, në grupin e futbollistëve ka entuziazëm. Gjithçka varet nga rezultatet, por rëndësi ka që tani jemi mirë dhe po punojmë me besim. Ka shumë rëndësi rezultati në Islandë, por nuk duhet të fusim presion në ekip. Kuptohet, një rezultat pozitiv do të ngjallte shpresat për një kualifikim të mundshëm. Ky grup mund të bëjë diferencat me pak lojë. Do të jetë e rëndësishme edhe për motivimin e ekipit, sepse luajmë ndaj një kundërshtari direkt dhe do të thotë shumë kjo ndeshje, që do të mundohemi ta përgatisim sa më mirë. E kemi kualitetin e duhur për të marrë rezultat.

Nga një seancë stërvitore e kuqezinjve

Kemi mundësi të mira në mbrojtje, kemi lojtarë me eksperiencë, që kanë luajtur në kampionate të rëndësishme. Mund të them se në këtë repart jemi të konsoliduar dhe shpresoj të kemi sukses. Të gjitha ndeshjet që kemi luajtur në Ligën e Kombeve dhe tani në eliminatore, janë thuajse në të njëjtin nivel me ne, por diferencën e ka bërë ndonjë gabim më shumë nga ana jonë. Tani besoj se do të eliminojmë gabimet e vogla dhe nëse e bëjmë, kemi shumë mundësi për rezultate pozitive. Nuk dua të bëj parashikime për pikët. Jemi fokusuar tek Islanda, që është një ndeshje shumë e rëndësishme për ecurinë tonë. Islanda, përveç lojës së fortë në ajër, ka edhe individë shumë të mirë. E kemi marrë në konsideratë këtë gjë dhe po punojmë shumë që t’i bëjmë ballë si duhet këtij kundërshtarit”, - u shpreh Berisha në konferencë shtypi. Ai do të jetë titullari i portës kuqezi, pasi Strakosha mungon për dëmtim. Dy portierët e tjerë janë nga kampionati shqiptar, Alban Hoxha dhe Gentian Selmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë