Futboll

Berisha fiton duelin me Strakoshën, Kumbulla shkëlqen ndaj Milanit

“Derbi” i portierëve kuqezi në Serinë A është fituar nga Etrit Berisha, me përmbysje madje. Spal-Lacio, e vlefshme për javën e tretë të kampionatit, u mbyll me fitoren e ekipit vendas, që e ktheu rezultatin nga 0-1 në 2-1, duke i hequr Strakoshës pikën në kohën shtesë. Paraqitje më të mirë sa u takon dy portierëve të Kombëtares ka bërë Berisha. Sipas specialistëve italianë, portieri i Spalit ishte vendimtar me disa pritje, mbajti ekipin e tij në lojë dhe është vlerësuar me notën 6.5, ndërsa Strakosha, edhe pse nuk ka faj direkt për dy golat e pësuar, ka qenë disi pasiv dhe ka marrë notën 5.5. Berisha u rikuperua në kohë dhe luajti titullar, duke dhënë kontributin e tij në këtë fitore të rëndësishme. Ai e pësoi golin e vetëm nga pika e bardhë e penalltisë.

Berisha në dyluftim me Imobilen gjatë ndeshjes Spal-Lacio, 2-1. Gazeta Si, 16 shtator 2019

Marash Kumbulla është futbollisti kuqezi më i vlerësuar për javën e tretë të Serisë A. Mbrojtësi i qendrës ishte titullar me Veronën edhe përballë Milanit, ashtu si në dy javët e para. 19-vjeçari nuk luajti asnjë minutë me Kombëtaren e Shqipërisë në ndeshjet me Francën dhe Islandën, por në Itali është shumë i rëndësishëm për skuadrën e tij. Kumbulla është vlerësuar me notën 7, edhe pse Verona humbi 0-1 ndaj Milanit. Paraqitja e shqiptarit ishte mbresëlënëse, sepse në asnjë moment sulmuesi Piatek nuk arriti t’i shpëtonte mbulimit të shqiptarit. “Për një lojtar të lindur në vitin 2000, të mbulojë aq mirë një sulmues si Piatek, nuk është pak”, - shkruan shtypi italian për mbrojtësin kuqezi. Vlerësimi është në këto kuota për Kumbullën, duke pasur parasysh se skuadra e tij luajti me 10 vetë për 70 minuta dhe Verona kishte shumë punë në mbrojtje. Rahmani, mbrojtësi i Kosovës, u vlerësuar me notën 6.5 në këtë ndeshje dhe u zëvendësua në pjesën e dytë.

Marash Kumbulla gjatë ndeshjes me Milanin. Gazeta Si, 16 shtator 2019

Në nivelin e tij të zakonshëm ka qenë edhe këtë radhë Berat Gjimshiti, titullar në fitoren 1-2 të Atalantës në transfertën e Xhenoas. Trajneri Gasperini vazhdon t’i besojë lojtarit të Kombëtares qendrën e mbrojtjes në skemën me 3 lojtarë në prapavijë, ashtu siç po bën edhe Reja me kuqezinjtë. Elseid Hysaj mungoi këtë javë, për shkak dëmtimi. Napoli i tij fitoi 2-0 ndaj Sampdorias dhe kapiteni i kuqezinjve e shijoi këtë sukses nga tribuna.

Një fundjavë e mbarë ishte për sulmuesin Armando Sadiku, i cili gjeti golin e parë me fanellën e Malagës, ku kaloi pak kohë më parë. Malaga barazoi 1-1 në transfertë dhe goli i Sadikut rezultoi i rëndësishëm për pikën e marrë nga skuadra e tij, ku aktivizohet edhe Kejdi Bare. Mesfushori fierak po kalon një moment shumë të mirë, si me Kombëtaren, ashtu edhe me skuadrën e tij në Spanjë. Sadiku mungoi në dy ndeshjet e fundit eliminatore të Shqipërisë, pasi nuk kishte gjendjen optimale, ngaqë nuk kishte luajtur. Tani, duke u aktivizuar rregullisht me Malagën, ai do të jetë i nevojshëm edhe për trajnerin Reja.

Një tjetër derbi shqiptarësh ishte ai i ligës së dytë në Turqi mes portierit Gentian Selmani dhe sulmuesit Sokol Cikalleshi. Ka fituar kavajasi, madje si protagonist. Pesë minuta para fundit të ndeshjes ai shënoi golin e vetëm me penallti për Akhisarsporin, duke mposhtur Selmanin. Është një moment i mirë edhe për Cikalleshin, që po shënon gati sistematikisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë