Politike

Berisha e cilësoi viktimë të narko-mafies, por Soreca dhe Basha “miklojnë” njëri- tjetrin

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha janë ”mikluar” dje në distancë me njëri tjetrin pas një bisede të zhvilluar mes tyre online. Soreca njoftoi në kryeradhë të postimit të tij në Twitter se biseda me Bashën kishte rezultuar e mirë: “Një bisedë e mirë me Lulzim Bashën ditën e sotme në lidhje me vendimin e nisjes së bisedimeve javën e kaluar që dha Këshilli Evropian.,,”.

I menjëhershëm reagimi i Bashës po në Ttitter. Edhe kryetari i opozitës u kujdes të falenderonte fillimisht ambasadorin e BE-së në Tiranë dhe pastaj gjithë strukturën e Brukselit për vullnetin pozitiv për celjen e negociatave: “Falenderime  @LSorecaEU dhe BE për shprehjen e vullnetit pozitiv për çeljen e negociatave pas plotësimit të 15 kushteve…”. Këto komente deri diku të clirëta mes njëri tjetrit vijnë pas një situate të nderë, që u krijua pak ditë më parë, kur në korridoret e selisë blu u komentua jo zyrtarisht një postim i hequr nga faqja e Twitterit e ambasadorit Soreca lidhur me një bisedë që Komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi kishte pasur me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ai që nuk kurseu publikisht këtë situatë ishte ish-kryeministri Sali Berisha, i cili e cilësoi Sorecën “viktimë të narko-mafies qeveritare”

“…Ky Luigj mi, heq pas dy orësh nga Twitter i tij njoftimin për bisedën e zhvilluar midis Komisionerit dhe zotit Basha që vetë e kishte vendosur. Ai e bën këtë pa dhënë asnjë shpjegim dhe pa u merakosur fare se ai është një akt lëndues për të gjithë ata që përfaqëson shefi opozitës së një vendi…”, - komentoi Berisha katër ditë më parë.

Sot panorama mes selisë së BE-së dhe PD-së është krejt tjetër. Të paktën nga linja zyrtare e PD-së ku adresohen falenderime ndaj ambasadorit Soreca, ashtu si edhe ky i fundit kur cmon nevojën për bashkëpunimin dhe monitorimin e opozitës në vijimin e reformave të kërkuara nga BE-ja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë