Kombetarja

Berisha dhe Hysaj entuziastë: Për fitore në Moldavi, t’i bëjmë gjërat si duhet!

Gazeta Si – Dy ‘veteranët’ e Kombëtares, portieri Etrit Berisha dhe mbrojtësi Elseid Hysaj, kanë folur sot për ndeshjet me Moldavinë dhe Ishujt Faroe. Të dy kanë qenë pjesë arritjes historike të Euro 2016 dhe tani janë shumë pranë pjesëmarrjes së dytë në Europian.

Berisha ka theksuar se kuqezinjtë do të luajnë në të dyja ndeshjet e fundit për fitore, për të shënuar rekorde të reja: “Jemi në një moment delikat, jemi shumë të fokusuar te këto ndeshje. Forma ime ka qenë një nga arsyet pse kam shkuar tek Empoli, sepse doja të isha i gatshëm për Kombëtaren.

Jemi entuziastë, por duhet të jemi me këmbë në tokë. Me gjithë respektin që kemi për ta, duhet të shkojmë atje për fitore. Nuk kemi eufori, por entuziazëm dhe duhet të vazhdojmë kështu, pasi është e vështirë të kesh entuziazëm. Duhet t’i bëjmë gjërat siç duhet dhe nëse do të kemi mundësi të kualifikohemi në Europian, duhet të bëjmë gjëra më të mira se deri tani.

Çdo ekip, me të cilin jemi përballur, e kemi vënë në vështirësi. Do bëjmë të njëjtën gjë me Moldavinë. Ata nuk kanë asgjë për të humbur dhe ndonëse favorit në letër jemi ne, duhet të bëjmë maksimumin. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ndaj Ishujve Faroe, të luajmë për fitore”, - theksoi Berisha.

Mbrojtësi Elseid Hysaj mes të tjerash tha: "Normal që janë dy finale për ne, por duhet të mendojmë për Moldavinë. Është një ndeshje e rëndësishme dhe janë në skuadër shumë e fortë për momentin. Ne duhet të shkojmë atje për të mos humbur, sepse edhe një pikë mund të na nevojitet dhe jemi të kualifikuar, por do ishte bukur të fitonim dhe të arrinim rekordin e pikëve si Kombëtare.

Si me Armeninë? Kanë lidhje, por siç e dimë si ndeshje duket më e thjeshtë sepse na duhet vetëm një pike, por të themi të drejtën është një ndeshje me peshë, sepse në qoftë se fitojmë do të jemi të kualifikuar dhe mund të kthehemi me një gëzim të madh në Shqipëri ndërsa po humbëm do jetë një presion më shumë për ne dhe do të kthehemi në Shqipëri për të luajtur ndeshjen e fundit. Të gjithë ne jemi me një mendim për të shkuar të përgatitur dhe të fitojmë këtë ndeshjen.

Kemi mundësi të shkojmë në Europian dhe të shkojmë në Gjermani kjo është më e rëndësishme, pastaj kritikat janë pjesë e lojës mund të vijnë dhe do të jenë aty gjithmonë. Është një ndjesi e bukur kur kujtojmë ato momente të 2016, nuk mund t’i harrosh. Shpresoj që t’i shijojnë edhe djemtë e tjerë dhe ne bashkë me shokun tim të vjetër Berishën. Është një kënaqësi, duhet të shkojmë atje me vëmendjen e duhur dhe të vijmë me fitore në Shqipëri.

Ne duhet të jemi të rritur në mentalitet, sepse nuk duhet ta shohim si presion. Duhet të jetë një mundësi për ne duhet ta shfrytëzojmë, e dimë që do të jetë e vështirë, por ne punojmë për këto ndeshje dhe duhet të jemi gati. Ne e kemi pasur gjithmonë mbrojtjen e fortë dhe në Europianin e kaluar. Por normal statistikat flasin vetë dhe nëse statistikat thonë që kjo është mbrojtja më e mirë dhe unë besoj të njëjtën gjë, është mbrotja më e mirë që kemi pasur ndonjëherë në Kombëtare.

Moldavia është një skuadër që e kemi parë të gjithë, nuk ka pësuar asnjë humbje në shtëpi. Jemi të qartë që janë një skuadër që kundërsulmojnë dhe luajnë me kundërsulme por ne po përgatitemi për një ndeshje të tillë, ato do qëndrojnë në mbrojtje dhe ne duhet t’i gjejmë vetë mundësitë tona për t’i sulmuar dhe të jemi të kujdesshëm në mbrojtje në rastet kur ata kundërsulmojnë".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë