Kombetarja

Berisha dhe Grezda janë të bindur, në Izrael mund t’ia dalim

Sa më shumë që afron ndeshja vendimtare me Izraelin aq më shumë shtohet presioni tek futbollistët e ekipit kombëtar, sidomos pas barazimit zhgënjyes me Jordaninë. Përpara medieve këtë të premte në konferencën e zakonshme kanë dalë, portieri Etrit Berisha dhe sulmuesi Eros Grezda. Për të dy futbollistët, ndeshja është shumë e vështirë, por jo e pamundur për të marrë tre pikët. Në fjalët e tyre para gazetarëve, si Grezda dhe Berisha, theksuan se do të nevojitet një angazhim maksimal për të marrë fitoren të dielën në mbrëmje, por sipas tyre edhe një barazim nuk do të ishte keq.

I pari që foli, ishte gardiani kuqezi, Etrit Berisha, i cili theksoi se pas rezultatit në ndeshjen mes Izraelit dhe Skocisë shanset për të treja ekipet janë të barabarta.  “Një ndeshje e cila është vlerësuar maksimalisht nga ana jonë. Tashmë jemi me pikë të barabarta të tre skuadrat në grup. Klima në ekip është shumë e mirë dhe të gjithë bashkë do shkojmë për të marrë fitoren. Mundësitë ekzistojnë për të dalë me rezultat pozitiv pasnesër. Nisur edhe nga humbja dje e Skocisë, nëse marrim rezultat pozitiv të dielën në Izrael, atëherë transferta që humbëm në Skoci pak do të vlejë. Tentojmë fitoren, por të them të drejtën, edhe barazimi nuk do të ishte i keq.” – u shpreh portieri Berisha.

Ndër avantazhet e skuadrës sonë, sipas Berishës do të jetë fakti se e njohim mjaft mirë ekipin kundërshtar. Por kjo gjë mund të kthehet edhe në një faktor disavantazhues, pasi edhe Izraeli e ka mësuar mjaft mirë mënyrën tonë të lojës.

Nuk është aspak e pamundur. Janë një kundërshtar i fortë, por edhe ne kemi forcën tonë. Njohim lojën e tyre, nisur edhe nga fitorja karshi tyre një muaj më parë në Elbasan. Na pret një 90 minutësh shumë i vështirë, por me përqendrimin e duhur do ia dalim për të arritur një rezultat pozitiv.”,- theksoi Berisha.

Ndërkaq, Grezda ka besim maksimal që skuadra do të reagojë në mënyrën më të fortë të mundshme në dielën në mbrëmje, për të marrë fitoren. Sipas sulmuesit gjakovar, duke u nisur nga modeli i fitores me Turqinë një vit me parë skuadra do të kërkojë suksesin edhe me ekipin izraelit.

“Jemi në një moment, ku fitorja do të ishte një shtysë shumë e madhe, për ekipin. Kemi punuar dhe do të vijojmë të punojmë shumë në seancat e ardhshme për të arritur objektivin tonë. Kam besim që mund t’ia dalim, edhe pse kundërshtari ka pikat e tij e të forta, me të cilat na vuri në vështirësi edhe në takimin e parë në Elbasan. Mendoj që jemi tre skuadra shumë afër njëra-tjetrës, në një kohë që edhe Izraeli ka pika të forta dhe kërkon shumë përqendrim e angazhim. Nga fitorja në Turqi mungojnë vetëm Sadiku e Roshi. Të tjerët janë po ata. Por e them me bindje që, nëse përsërisim ndeshjen e Turqisë, nuk na ndal dot as Izraeli e as Skocia”.

Ekipi kombëtar gjatë ditës së premte ka vijuar punën intensive me dy seanca stërvitore me dyer të mbyllura. Stërvitja e fundit është parashikuar të zhvillohet të shtunën paradite, përpara nisjes në Ber Sheva. Sakaq për ndeshjen e së dielës mbrëma është mësuar edhe emri i arbitrit, që do të gjykojë sfidën dhe bëhet fjalë për italianin Paolo Mazzoleni, një nga më të njohurit e Serie A.

https://www.youtube.com/watch?v=w6fBvned4hk

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë