Politike

Berisha del me ekspertët: Minimumi jetik të vendoset 200 euro, kemi gati ligjin

Bashkë me tre drejtues departamentesh dhe tre këshilltarë, Sali Berisha doli në konference për shtyp të hënën për të propozuar zyrtarisht vendosjen e një pagese prej 200 euro si minimum jetik.

Ai tha se fondet janë dhe se kjo duhet përcaktuar me ligj çdo vit

“Avokati i Popullit e ka përllogaritur këtë minimum jetik rreth 200 euro. Sot minimumi jetik mesatar në BE është 840 euro, pra është llogaritur një e katërta, ndërkohë që duhet të jemi të vërtetë, çmimet e ushqimeve bazë në Shqipëri janë të njëjta dhe në disa artikuj, edhe më të kushtueshme se në mesataren e BE.

Por, vendosja e një pagese prej 200 euro si minimum jetik për person është pa diskutim një përgjigje e situatës emergjente në të cilën ndodhet Shqipëria.

Nga kjo pagesë, përfitojnë mbi 85% e pensionistëve, të cilët janë ndër këtë pagesë, përfitojnë të gjithë familjet me ndihmë ekonomike, të cilët marrin një mbështetje qesharake, maksimumi 8 mijë lekë, përfitojnë kategori të tjera dhe duhet të përfitojnë studentët, duhet të përfitojnë të rinjtë.

Me një fjalë, shtrirja, vendosja me ligj është një përgjigje ligjore që i jepet kësaj situate katastrofale ku ndodhet vendi, me kërcënim të madh për varfëri dhe mjerim, si asnjë vend tjetër në Europë”, tha Berisha. Sipas tij, fondet për minimumin jetik janë, dhe se ato duhen përcaktuar me ligj në buxhetin e shtetit çdo vit

“Unë ju garantoj se Shqipëria këto fonde i disponon plotësisht, por kjo kërkon që qeveria të mos vjedhë siç po vjedh qytetarët shqiptarë, të mos abuzojë me taksat dhe pasuritë publike. Kjo kërkon që Shqipëria të ndërtojë punë publike me të njëjtat çmime që ndërtohen në BE, nuk po them më lirë...Ne kemi përgatitur ligjin dhe ligji e detyron çdo qeveri që në buxhetin e shtetit, çdo vit të përcaktojë fondin e minimumit jetik. Ligji është në parlament, por ne do bëjmë çmos që ta votojmë sa më shpejt”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë