Politike

Berisha akuzon Edi Ramën: Po përgatit katastrofën energjetike  

Gazeta Si - Gjatë mbledhjes së kryesisë së PD, kryetari Sali Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përgatit katastrofën energjetike për Shqipërinë.

Ai tha se kjo bëhet për dy anijet TEC që do të mbërrijnë në Vlorë. Kryedemokrati thotë se institucionet shtetërore janë shndërruar në zyra që përgatisin hajdutë.

Sipas Berishës, qytetarët shqiptarë po vidhen dhe pakënaqësia është e madhe në Tiranë e në Shqipëri në tërësi.

“Shqiptarët duhet ta dinë se Edi Rama po përgatit katastrofën energjetike në vend. Duke shkelur ligjet e vendit, të cilat mbrojnë digat, nuk lejojnë zbrazjen e digave deri në datën 1 shtator, - u shpreh Berisha. - Do të sjellin errësirën që të justifikojnë aferën e kontraktimit të 2 gjeneratorëve gjigant nga Bangladeshi të cilët shpenzojnë 520mijë euro naftë, jo me çmimin aktual dhe kanë qiranë ditore 92 mijë euro. Në 2 vite 760 mijë euro me të cilët qeveria mund të kishte ndërtuar 3 deri 4 termocentrale me gaz si i Vlorës dhe gazi është aty”.

Sipas Berishës, “këta duan të mbushin xhepat e tyre, pasi i konsiderojnë shqiptarët si qenie për t’i varfëruar dhe shtypur".

Gjatë mbledhjes së kryesisë, Berisha nuk la pa përmendur rritjen e çmimeve me të cilën po përballen qytetarët në Shqipëri.

Sipas tij, Tirana dhe e gjithë Shqipëria po zien sepse qytetarët po vidhen.

“Shqiptarët marrin 107% të çmimit mesatar të vendeve të BE që kanë rrogë mesatare 6 herë më të lartë se në Shqipëri”, - vijoi ai.

Më pas Berisha deklaroi se Gledis Nano u shkarkua nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pasi zbuloi aferën e "Call Center"-abe në vend.

Berisha akuzoi për Call Center vëllain e Kryeministrit Rama, Olsi Ramën, për të cilin tha se skema bëhej në Shqipëri, kurse vjedhja në Gjermani.

Berisha përmendi edhe ministrin e Brendshëm Bledi Çuçin për trafik droge.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë