Politike

Berisha: Ahmetaj është arratisur, SPAK nuk i konfiskoi kurrë djegësat edhe pse akuzat ngrihen për to

Për Sali Berishën, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është arratisur.  

“Për herë të parë në historinë e vendit, super-ministri apo zëvendëskryeministri, de facto organizatës kriminale të drejtuar nga Rama, arratiset.

Sipas dokumenteve zyrtare, Arben Ahmetaj u arratis disa orë përpara se prokuroria e partisë do të kërkonte në parlament lejen për arrestimin e tij.

Mesa duket prokuroria, ose kontrollorët e saj, njoftuan Ahmetajn para se të njoftonin parlamentin për vendimin e arrestimit të tij.

Shtoj këtu se për të mos e emocionuar gjatë arratisë, kërkesa e Prokurorisë Speciale ishte fshehur për tre ditë nga parlamenti i vendit...”, tha Berisha përmes një dalje për mediat.

Sipas tij, Ahmetaj është larguar me pëlqimin e Ramës.

“Arratisja e Ahmetajt apo dërgimi i tij në azil nga Edi Rama shënon kulmin e degradimit të organizatës kriminale, por edhe të poshtërimit të shoqërisë shqiptare.

Investigimet e medieve dhe gazetarëve kanë provuar se në mega-aferën e djegësave, qeveria me në krye Edi Ramën, ka vepruar si një organizatë e mirëfilltë kriminale”, tha ai.

Sali Berisha

Berisha nuk është i kënaqur në këtë rast as me SPAK.

“PD deklaron se hetimi dyvjeçar fakton katërcipërisht se Prokuroria Speciale funksionon si një aneks i organizatës kriminale të quajtur qeveria shqiptare.

Me urdhër të Edi Ramës, SPAK gjer sot nuk ka guxuar të hetojë, të ngrejë akuzën më të vogël për procedurën korruptive të aferës më të madhe në hetim në 32 vitet e fundit.

Kjo prokurori, ndonëse ka lëshuar dhjetëra arresti për ministra, drejtorë, deputetët, punonjës apo biznesmenë, ajo kurrë ndonjëherë nuk ka vendosur një konfiskim të veprës së krimit, nuk ka konfiskuar as vetë djegësat me pretendimin absurd se nuk dihen pronarët dhe mund të përfundojnë në arbitrazh. Sipas kësaj logjike, arbitrazhi ndërkombëtar mund të qëndrojë në krahun e krimit ose afera nuk është korruptive. Çdo aferë kriminale ndëshkohet me ligj”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë