Futboll

Berat Gjimshiti lë pas dëmtimin, gati të kthehet në fushë këtë fundjavë

Gazeta Si – Lajme të mira për Berat Gjimshitin, mbrojtësin e Atalantës dhe Kombëtares kuqezi. Ai ka lënë pas dëmtimin dhe pritet të grumbullohet nga trajneri Gasperini për ndeshjen e radhës me Sasuolon. Gjasat janë të mëdha që mbrojtësi të rikuperohet 100%.

Gjimshiti pësoi një dëmtim serioz në ndeshjen me Milanin më 21 gusht. Fraktura që pësoi e detyroi atë të qëndrojë jashtë fushave për një kohe të gjatë, që më në fund duket se ka përfunduar. Stafi teknik i Atalantës do të shohë me shumë kujdes gjendjen e lojtarit, duke qenë se ai vjen nga një mungesë e gjatë.

Berat Gjimshiti. Gazeta Si, 13 tetor 2022

Me shumë gjasa shtatlarti do të hyjë në fushë nga stoli ndaj Sasuolos këtë fundjavë, ose ndaj Lacios në vazhdim. Gjimshiti ka qenë titullar në mbrojtjen e Atalantës dhe një nga kolonat e saj, ashtu si dhe në Kombëtaren shqiptare.

Kuqezinjtë e kanë ndjerë jo pak mungesën e mbrojtësit me përvojë gjatë ndeshjeve të Ligës së Kombeve, ku rezultatet nuk kanë qenë ato që priteshin. Gjimshiti do të kthehet në Kombëtare për miqësoret e nëntorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë