Shendet

“Bëni vaksinën anti-grip”; Heqja e kufizimeve të Covid-19 mund të shkaktojë shpërthimin e gripit

Një studim i fundit ka parashikuar një shpërthim të rëndë të gripit sapo të hiqen masat e kontrollit të COVID-19. Studiuesit nga Shkolla e Shëndetit Mailman e Universitetit Columbia përdorën modelime për të përcaktuar sasinë e zvogëlimit të transmetimit dhe incidencës së gripit pas zbatimit të masave të kontrollit. Studimi i botuar në “Journal of Infectious Diseases” tregoi se ndërhyrjet jo-farmaceutike (NPI), të tilla si mbajtja e maskave, distancimi fizik, kufizimet e udhëtimit dhe mbyllja e shkollave, çuan në një rënie prej 60% të infeksioneve të gripit gjatë vitit të shkuar. Studimi tregon që ekspozimi i reduktuar ndaj gripit gjatë masave të kontrollit do të ketë çuar në uljen e imunitetit ndaj këtij virusi.
Jonathan Stoye, kreu i virologjisë në Institutin Francis Crick në Londër, Mbretërinë e Bashkuar, tha se ky studim tregon se numri i reduktuar i infeksioneve në vitin 2020 do të çojë në dobësimin e imunitetit të popullsisë dhe se kjo mund të kontribuojnë në një rritje të infeksioneve të gripit për vitet e ardhshme.
Ekspertët kanë shkruar gjithashtu se nivelet e ulëta të gripit gjatë pandemisë mund ta bëjnë të vështirë parashikimin se cilat lloje të gripit do të jenë në qarkullim duke zvogëluar kështu edhe efikasitetin e vaksinave aktuale.
“Për shkak të fokusit në COVID-19, gripi mund të ketë qenë i nën-raportuar vitin e kaluar, kështu që më shumë njerëz mund të kenë qenë të ekspozuar ndaj virusit”, thanë ekspertët.
William Schaffner, Profesor i Mjekësisë Parandaluese në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Vanderbilt, Nashville tha se viti i kaluar kishte incidencën më të ulët të gripit për shkak të kufizimeve për COVID-19, por sipas tij nuk beson që ka pasur raportime të pasakta për gripin.
Shaffner thekson se infeksionet e tjera të frymëmarrjes janë rritur me fillimin e jetës pa kufizime, gjë që tregon se duhet ta marrim seriozisht paralajmërimin për një sezon të keq gripi.
Këtë verë, me më pak kufizime dhe kthimin e fëmijëve në shkollë, ka pasur një rritje të rasteve të virusit sincitial të frymëmarrjes, një infeksion që zakonisht shihet vetëm në muajt e dimrit.
"Kjo mund të jetë një parashikim i gjërave që do të vijnë. Këtë vit, është më e rëndësishme se kurrë që të bëni vaksinat kundër gripit. Ndërsa ne jemi të fokusuar me të drejtë në mbrojtjen e vetes kundër COVID-19, nuk duhet të harrojmë gripin, i cili gjithashtu mund të jetë fatal”, vuri në dukje ai.
Sipas ekspertëve për të anashkaluar një situatë tjetër të rëndë të gjithë duhet të marrin edhe vaksinën e gripit për t’u mbrojtur edhe nga ky virus.
Burimi: MedicalNews/ Përshtati: Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë